Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë sot viza në Ambasada për tu larguar nga Kosova, është alarmant dhe tregues i qartë i zhgënjimit e dëshpërimit të madh me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Tahiri ka thënë se vetëm në katër muajt e fundit 199 mijë e 783 qytetarë apo rreth 11 % e popullsisë së Kosovës, kanë kërkuar largimin nga vendi përmes pritjes së vizave pranë ambasadave të huaja.
“Këta qytetarë janë qytetarë real, jetojnë në kohë reale, kanë emër dhe mbiemër dhe të njëjtit, sot nuk shohin më kurrfarë shprese në horizont përveç largimit, sepse shpresa e tyre është vjedhur nga një pushtet premtues që s’ka aftësi, as ide, as plan e as përkushtim për ta zhvilluar Kosovën”, tha Tahiri.
Sipas kreut të deputetëve të PDK-së, kjo përmasë largimi dhe trendi që po vazhdon me kërkesat për viza, është fatkeqësi për vendin, e cila e ka një adresë dhe kjo adresë siç tha ai, gjendet në katin e dytë të ndërtesës së qeverisë.
“Trajtimi që ju bëhet mjekëve, specialistëve dhe infermierëve, arsimtarëve, policëve e shërbyesve civilë duke i trajtuar me lëmoshë e jo si palë në ndërtimin e kushteve më të mira për punë e shpërblim adekuat, ndërsa në anën tjetër, pa kurrfarë dialogu social, pa vizion për investime dhe pa asnjë plan për të rinjtë dhe të rejat që studiojnë, janë vetëm disa prej faktorëve që i kontribuojnë kësaj fatkeqësie. Produkti i kësaj paaftësie është Krejt dhe Drejt Emigrimit, por kostoja e këtij produkti do jetë barrë për vendin me dekada. Është koha e fundit për të ecur me këmbë në tokë e për të reflektuar mbi shkaqet e këtij trendi e për të ofruar zgjidhje. Ose koha më e mirë për të lëshuar rrugë”, tha Tahiri.