Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku të drejtë fjale pati edhe Kosova.
Deputeti nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve të Këshillit të Evropës dhe se pret që bëhet anëtarja e 47-të e saj.
Tutje, ai ka thënë se regjimi i Serbisë nuk do të lejohet që përmes grupit “WAGNER” ta sulmojë Kosovën.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj standardeve të Këshillit të Evropës. Ne kemi bashkëpunuar në këtë drejtim edhe pse nuk kemi qenë anëtare. Ne po presim të jemi vendi anëtar i 47-të i KiE-së”.
Deputeti Tahiri ka theksuar se Qeveria e Kosovës, duke përfshirë partitë opozitare, plotësisht e mbështet dialogun me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës ka marrë rol legal për t’i parandaluar targat ilegale të lëshuara nga Serbia, si pasojë ata kanë vendosur barrikada, kanë sulmuar KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës”.
“Pse na nevojiten tensione vetëm 40 kilometra larg kryeqytetin tonë?. Ne kemi pasur një luftë të tmerrshme, the falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së NATO-s e BE-së kemi arritur fitoren. Ne gjithmonë do të jemi mirënjohës për mbështetjen që na e ofroi BE-ja”.
“Ne e dimë se si është te jesh minoritet dhe nuk frikohemi nga pakicat serbe, por ne nuk do ta lejojmë regjimin serb që përmes ndikimit rus dhe përmes grupit “WAGNER” ta sulmojë vendin tonë”.
Ai po ashtu ka shtuar se populli i Kosovës gjithmonë do të jetë i rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe vlerat evropiane.
Kujtojmë se së fundmi janë shfaqur mbishkrime “WAGNER” nëpër disa zona të veriut të Mitrovicës. Policia e Kosovës ka hapur rast dhe është duke e hetuar një gjë të tillë.