Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë për “Zërin” se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe derisa Serbia nuk i shpërbën të gjitha strukturat paralele dhe nuk e zbaton Marrëveshjen për Telekomin dhe Energjinë.
Ajo po ashtu thotë se nga 33 marrëveshjet sa janë arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, vetëm tri nuk janë zbatuar në praktikë.
Ndërsa marrëveshja e fundit për targa, sipas saj, është shtyrë, pasi autoritetet kosovare nuk e kanë përmbyllur tenderin për letërngjitës.
Tahiri thotë se procesi i bisedimeve me Serbinë nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur dhe në fazën e tretë, siç thotë ajo, do të trajtohet edhe çështja e të pagjeturve.
Ministrja për Dialog është e bindur se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja reciproke e dy shteteve.
Zëri: Znj. Tahiri, a ka dështuar Marrëveshja për Targat, meqë nuk ka ngjitës?
Tahiri: Jo, në fakt marrëveshja është në proces të përgatitjes për zbatim. Më rëndësi është që kemi arritur marrëveshje për reciprocitetin e targave të automjeteve mes dy shteteve. Në kohën kur e kemi arritur marrëveshjen në shtator të këtij viti, unë kisha paralajmërime nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës se është kohë e shkurtër për procesin e tenderimit për prodhimin e këtyre letërngjitësve. Por, vlerësova që më rëndësi është një herë të arrihet marrëveshja. E kështu sa më shpejt zgjidhim problemin e letërngjitësve, menjëherë fillon zbatimi.
Pra, për mua më mirë ka qenë të arrihet marrëveshja, sepse ju e dini që pala serbe e ka shtyrë këtë punë për pesë vjet dhe tash varet nga ne, sa më shpejt që i kryejmë punët aq më shpejt nis puna.