Tahiri pas vendimit të Kushtetueses: Fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur i lumtur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pezulluar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

“Kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj”, shtoi deputeti.

“Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës”.

“Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit”, përfundoi Tahiri.

Të ngjashme