Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se prokurimi publik ka për qellim të sigurojë në mënyrë transparente shfrytëzimin e parave të taksapaguesve, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se kontratat njëburimore edhe pse janë të lejuara ato në secilin vlerësim vendor dhe ndërkombëtar tregojnë se janë mjeti më i mirë potencial për dëmtimin e konkurrencës së lirë për korrupsion dhe favorizim nga sektori publik për sektorin privat.
“U mundova me i printu disa kontrata burimore. Kjo është lista e të gjitha ministrive dhe e organeve tjera kontraktuese. Po flasim për kontrata njëburimore duke përfshirë edhe anekse për një shumë të madhe të taksapaguesve që kanë shkuar në kontraktim njëburimor. Pse është problematike? Sepse kështu krijohet lidhja e shkurtë mes kontraktuesit dhe operatorit. Po kërkojmë që këta ministra të vijnë e të raportojnë për çfarë arsye i kanë nënshkruar këto kontrata burimore sepse ka dyshim për korrupsion. Ne kemi një institucion kushtetues ZKA, ajo ka rol të jashtëzakonshëm. Kur ta ftojmë si institucion në Kuvend duhet një auditim të veçantë që e auditon krejt këtë çështje. Kjo shumë kaq e madhe krejt këtyre kontratave nuk po i vije era e mirë dhe kjo mund të zbardhet nga raportimi i ministrave në Kuvend dhe investigimi i ZKA-së. Në Kuvend duhet të vijë ligji i ri i prokurimit publik që të adresohet kjo”, ka thënë ai
Duke folur për vendimin e të mërkurës për Manastirin e Deçanit, Tahiri ka thënë se Aleanca nuk e ka komentuar dhe nuk do ta komentojnë përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Por nuk mund të largohem nga foltorja pa i thënë këtij zotërisë që mungon (kryeministrit Kurti v.j.) që nuk ke lënë të zezë pa e bë, je ngritur mbi kultin duke ju thënë njerëzve jeni të shantazhuar, i ke marrë mbi 4 mijë vota për kauza që e ke ditur se nuk ke qare pa i bë”, ka thënë ai.