Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur për çështjen e presidentit, ku sipas tij faji është tek Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ai në konferencë për media tha se partia që udhëheq, sipas tij, ka tendenca për autokraci.
“Bllokada institucionale në Kosovë ka emër. Ajo është e partisë e cila i ka 66 deputetë, e cila i ka 19 ministri dhe e cila, s’kanë kaluar as një muaj, po ashtu tenton të marrë edhe pozicionin e Presidentit. Aty është bllokada, aty është tendenca për me kriju dhe instalu një autokraci, dhe aty është edhe zgjidhja. Zgjidhje nuk ka dashur ky formacion politik. Po të kishin dashur zgjidhje, po të kishin dashur President unifikues, po të kishin dashur mos me i maltretu edhe një herë 1 milion qytetarë të Kosovës me dalë në zgjedhje, ata veç e kishin ndarë pushtetin”, tha Tahiri.
Tahiri përmendi edhe kohët e mëhershme kur figura të tjera politike kanë gjetur zgjidhje për udhëheqje duke ndarë pushtetin bashkë.
“Pushtetin e ka ndarë Ibrahim Rugova në vitin 2001 me PDK-në edhe AAK-në, duke i fituar gati 50% të zgjedhjeve. Pushtetin e ka ndarë po ashtu në vitin 2004, e kanë ndarë edhe tjerët. Pushtetin e ka ndarë kur ka fituar edhe Hashim Thaçi. Pushtetin e ka ndarë edhe Isa Mustafa. Ramush Haradinaj, të gjithë e kanë ndarë. Ky zotëria s’po do me ndarë, se po don me marrë edhe institucionin e Presidentit. Kjo nuk shkon në demokraci. Pra, adresa se çka po ndodh, pse po bllokohen institucionet, pse jemi në këtë situatë, nuk është e Aleancës as e partive opozitare; është e një subjekti politik që i ka 66 vota në Parlament, 66 njerëz që i ka vendosë në 19 ministri të vetat, tre-dy zëvendëskryeministrat e vet e që i ka 453 njerëz në qeveri. Pra, çështja e bllokadës institucionale, çështja e daljes nga kjo situatë, çështja se a do të shkojmë apo jo në zgjedhje, varet ekskluzivisht nga vullneti i një partie politike: se a do t’i maltretojë qytetarët e Kosovës edhe një herë 1 milion qytetarë me dalë në zgjedhje apo don me ardhë deri te një emër konsensual. A ka mbetë Kosova veç në një kandidat të një partie? Nuk ka mbetë Kosova. Ka Kosova njerëz. Inati i madh, tendenca me i kapë të gjitha institucionet, na ka prurë në këtë situatë ku një botë po qesh me ne, e qytetarët e Kosovës janë në dridhje se çka po ndodh me ta, me çmimet, e bile-bile nuk po shihet se a do të dalin apo jo edhe një herë në zgjedhje”, tha ai para mediave.
