Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u takua me delegacionin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga David McAlister, të cilët i informoi me politikat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë që ndikojnë direkt në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.
Ministrit Tahiri informoi se gjatë periudhës 16 mujore janë hartuar dhe miratuar apo në proces miratimi më se 21 projektligje ku janë mundësuar ndryshime substanciale në sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve ligjzbatuese, duke mundësuar kështu edhe përmbushjen e Agjendës Evropiane dhe Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Sipas ministrit Tahiri, gjatë kësaj periudhe kanë nisur edhe procese reformuese siç janë Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe Agjenda “Drejtësia 2020”, si mekanizëm për koordinimin institucional në funksion të zbatimit të ligjeve në fuqi.
Këto ndryshime normative, sipas ministrit Tahiri, mundësojnë luftë më të ashpër kundër krimit të organizuar, meqenëse mundësojnë masa më të rrepta në shqiptimin e dënimeve me theks në kryerjen e veprave të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Po ashtu, ministri Tahiri ka njoftuar delegacionin për ndryshimet e bëra në luftën kundër korrupsionit me theks të veçantë në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, parandalimin e konfliktit të interesit, pezullimin e zyrtareve publik në rast të ngritjes së akuzës ndaj tyre për korrupsion, krim të organizuar apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe politikën e rregullimit të mbrojtjes ligjore për të gjithë personat që raportojnë keqpërdorimin apo korrupsionin në kuadër të institucioneve publike dhe private nëpërmjet ligjit për sinjalizues.
Ministri Tahiri ka theksuar se agjenda e masave kundër korrupsionit do të vazhdoj edhe me projektligjet për deklarimin e pasurisë ku synohet të racionalizohet dhe rritet numri i zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë, ndërkohë që Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit do ta qartësoj mandatin e saj dhe fuqizoj rolin e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit.
Anëtaret e Komitetit u informuan nga ministri Tahiri edhe për Projekt Kodin Civil, që për herë të parë është hartuar në Kosovë, si masa ligjore më e rëndësishme pas Kushtetues e që synon kodifikimin e të drejtës civile në Kosovë, dokument i cili aktualisht është në kuadër të konsultimeve para se ti nënshtrohet miratimeve të nevojshme.