Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka përshëndetur aksionin e sotëm të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, duke thënë se paraja publike është vjedhur me çanta.
“Ne këtë aksion e mirëpresim për shkak se që moti e kemi qenë dëshmitarë të keqpërdorimeve të mjeteve të buxhetit të Kosovës dhe vjedhjes së parasë publike siç e pamë edhe sot, që po vidhet me çanta, plot çanta para. Aso lloj çantash kanë ndodhur edhe shumë herë më përpara, prej vitit 2010 korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë është në piedestalin më të lartë”.
“Ne kemi tentuar që të bashkëpunojmë me ministrinë e bujqësisë, kemi parë se ka keqpërdorime, tek subvencionet dhe grantet. Kemi gjetur shumë toka të papunuara dhe të aplikuara për subvencione. Ata persona kanë marr para pa i mbjellë parcelat fare. Një pjesë e madhe e tyre ka 10-15 vite që ato toka nuk punohen, ndërsa subvencionet merren”.
“Kemi ofruar bashkëpunim me ministrinë, por ata nuk kanë pranuar. Më pak bashkëpunues prej ministrave ka qenë Memli Krasniqi, Nenad Rikallo dhe Besian Mustafa”.
“I kemi vërtetuar e zbuluar se kemi shumë bujq që na janë lajmëruar për keqpërdorime, për kërkesë të mitos, për mosdhënie të grantit për shkak të mosdhënies së mitos, ose nuk ka qenë militant i partisë në pushtet. Shumë bujq janë ndëshkuar pse kanë dal në protesta dhe i kanë vendosur në listën e zezë për 3-4 vjet dhe s’kanë mundur të marrin as grant e as subvencion”.
“Ne kemi bërë edhe padi për një keqpërdorim jashtëzakonisht të madh para 10 vjetëve. Kemi me qindra raste të fermerëve që kanë falimentuar për shkak të ndëshkimeve të ministrisë. Kur kemi shkuar në polici për krime ekonomike dhe kërkuar të fillohen procedurat e hetimit, ata nuk i kanë pranuar argumentet tona edhe pse i kemi shkuar me fakte të plota. Aty e kam parë që çdo pore e shtetit tonë është e kapur prej politikës. Për këtë shkak zëri jonë nuk ka arritur të dëgjohet dhe ankesat kanë shkuar në vesh të shurdhër të qeverive që kanë ekzistuar deri më tani”.
“E kam një shpresë të vogël te qeveria në ardhje dhe mendoj se ky rast nuk do të fshihet si raste të tjera”.
Kemi informata që tani për tani kemi 15 milionë euro mungesë për grante dhe subvencione dhe se nuk ka para për t’i paguar një numër të madh të bujqve që e kanë fituar të drejtën për grante dhe nuk po i marrin ato. Kur bujqit shkojnë t’i kërkojnë, po i thuhet se nuk kanë para”.
“Kemi shkuar para Besian Mustafës dhe i kemi ofruar argumentet nga keqpërdorimi i zyrtarëve të tij dhe i kemi dhënë edhe emra, mirëpo ai na ka thënë ‘shkoni në gjykatë’. Ne s’kemi mundur t’i bindim bujqit që të shkojnë në gjykatë se kanë pasur raste që kanë pritur 6-7 vjet për t’u realizuar lënda, dhe nuk ia ka vlejtur. I vetmi arsyetim i Mustafës ka qenë ‘shkoni në gjykatë’”, u shpreh Tahiri në Info Magazine në Klan Kosova.