Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka prezantuar shifrat e prodhimit, eksportit dhe importit të energjisë elektrike gjatë katër muajve të fundit, raporton Ekonomia Online.
Tahiri tha se për tre muajt, shkurt, mars dhe prill Kosova ka mbuluar kërkesën për konsum pavarësisht se qytetarët i kanë paguar faturat me rritje.
“Gjatë këtyre tre muajve(Shkurt, Mars, Prill) ne i kemi paguar dyfishin e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë, KEK-u nuk e ka shtrenjtu çmimin e megavatit në anën tjetër neve na u janë dyfishu fakturat dhe i kemi nda plus 100 milionë euro për subvencionim të faturave. Ne e dijmë që 25 milionë eurot e para janë shpenzu një pjesë nga KEK dhe KESCO, por më nuk dijmë se si janë shpenzu 100 milionë euro për subvencionimin e tarifave të qytetarëve. Për tre muaj, prodhimi në vendin tonë e ka mbulu kërkesën për konsum kur ne i kemi pagu faturat në rritje”, tha Tahiri.
Ai tha poashtu subvencionimi prej 100 milionë euro nga qeveria për rrymën dhe shifrat e prezantuara për prodhimin, eksportin dhe importin e rrymës duhet të shpjegohen.
“Këta numra flasin shumë, këta numra dojnë shpjegim të prodhimit, eksportit dhe importit e dojnë një shpjegim. Të panjohurat tona janë, pse duhet me u dyfishi çmimi i energjisë elektrike, e që KEK nuk e ka shtrenjtu vazhdon me shitë të njëjtin dhe pse duhet me u subvencionu tarifat me 100 milionë euro shtesë para të qytetarëve kur poashtu nuk ka nevojë për import, pra ky është një projeksion që ka dalë nga institucionet tona dhe janë të dhëna zyrtare”, tha ai.
Tahiri i bëri thirrje kryeministrit Kurti që t’i lejojë deputetët e VV-së ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Këto fakte janë të mjaftueshme për një deputet të Kuvendit që të bindet se duhet një Komision Hetimor Parlamentar. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që mos t’i bllokojë deputetët e tij ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, tha se shifrat dhe faktet tregojnë më së miri arsyeshmërinë e kërkesës së vazhdueshme për themelimin e Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.
“Si parti, si Grup Parlamentar dhe komision, kemi kërkuar që urgjentisht të formohet komisioni hetimor. Këto kërkesa nuk do të ndalen, përkundrazi, do të shtohen. Qytetarët e meritojnë të dijnë të vërtetën. Pse po bllokohet themelimi i Komisionit hetimor nga Qeveria?”, tha Shala.
Më tej, ai shtoi se kjo situatë dëshmon edhe paaftësinë e kësaj qeverie për tu marrë me këtë problematikë.
“Kjo situatë tregon edhe paaftësinë institucionale në menaxhimin e krizës me energjinë, keqmenaxhimin e skajshëm të sektorit energjetik dhe së fundmi, dëshmon haptasi edhe tentimin e Qeverisë për të fshehur të vërtetën në lidhje me këtë çështje.”, tha deputeti Ferat Shala.