Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron si jotransparente Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ndërsa Kuvendin e cilëson pa konsensus, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media pas përmbylljes së sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria aktuale është treguar jotransparente, ndërsa ngriti kritika se shumica parlamentare ka tradhtuar besimin e qytetarëve.
“Për AAK-në ky ka qenë një sesion shumë dinamik. Nëse vlerësohen të dhënat numerike edhe nga raportet e organizatave, shihet se AAK edhe në aspektin e numrave edhe në atë kualitativ ka qenë grupi parlamentar më aktiv në këtë sesion. Ky sesion nuk ka qenë i lehtë për shkak se shumica parlamentare ka vazhduar në masë të madhe të shpërfaq arrogancën, duke mos dhënë llogari dhe përgjegjësi në raport me besimin. Shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve, duke e pamundësuar punën në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Tahiri tha se gjatë këtij sesioni ka pasur puq në komisione hetimore.
“Është kjo shumicë parlamentare dhe kjo qeveri e cila nuk e ka marrë mundin as në pyetjet që i ka ngritur opozita. Në historinë e të gjitha qeverive, kjo është më jotransparentja. Ndërsa në komisione hetimore ka pasur puq, dhe është tentuar të merret pozita e kryesuesit në komisionin që udhëheq Shemsedin Dreshaj. Ky Kuvend e ka trajtuar në aspektin e njëanshëm gjithë politikën që lidhet me temat e konsensusit në Kuvend”, shtoi ai.