Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës ka thënë se përgjatë dy viteve në gjashtë ministri dhe KEK janë lidhur 220 kontrata njëburimore në vlerë prej 153 milionë eurove, raporton Ekonomia Online.
Tahiri konsideron se kontratat njëburimore janë përdorur në kundërshtim me ligjin derisa sipas tij e kanë ngufatë konkurrueshmërinë në sektorin privat.
“Ka një frikë serioze të kësaj qeverie në raport me hetimin tenderëve njëburimor që shuma e tyre vjen në 209 milionë euro. Kjo qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimor të cilët pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit, burim i keqpërdorimit dhe mbi të gjitha e ngufatë konkurrueshmërinë e sektorit privat në këtë temë. Se kontratat njëburimore janë përdorur në sasi të madhe dhe kundërshtim me ligjin tregon fakti se vetëm në vitin 2022/23, në gjashtë ministri dhe në KEK janë nënshkruar 220 kontrata në vlerë prej 153 milionë euro”, u shpreh Tahiri.