Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri foli për rritjen e çmimeve në foltoren e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se qeveria po qëndron e heshtur përballë rritjes së çmimeve.
“Realisht gjithë pajtohemi se ky problem dhe kjo sfidë, me të cilën janë duke u ballafaquar ekskluzivisht qytetarët e vendit tonë, nuk është si rezultat i politikave të qeverisë. Pra nuk është tema e çështja e fajtorit që qeveria e ka shkaktuar këtë krizë dhe këtë sfidë me të cilën janë duke u ballafaquar qytetarët e Republikës së Kosovës. Po tema dhe pyetja kryesore është se çka është duke bërë qeveria e Republikës së Kosovës që t’i mbështesë qytetarët e vet në këtë tonë dhe në këtë sfidë, me të cilën janë duke u ballafaquar e të cilët po vazhdojnë të rriten çmimet e naftës“, thotë ai.
Tahiri krahasoi veprimet e shteteve te Bashkimit Evropian ndaj krizës së çmimeve derisa thotë se në Kosovë qeveria po hesht.
“Dua që ta bëj një paralele me vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat secili shtet, secila qeveri e përgjegjshme i kanë marrë masat dhe veprimet e nevojshme që të jenë në mbështetje të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit të vet. Pra, nëse vendet e rajonit dhe vendet e zhvilluara të gjitha me përgjegjësi janë përgjigjur sfidës dhe kanë ndikuar pozitivisht me politika të mirëfillta fiskale dhe me mbështetje direkte, atëherë shtrohet pyetja pse qeveria e vendit tonë vazhdon të jetë shikuese ose aktor i cili vetëm e vëzhgon situatën e pa ndërmarrë veprime të saj të nevojshme, të menjëhershme, të domosdoshme, edhe për ekonominë e vendit, mirëpo edhe për qytetarët e vendit tonë.
Shumë shtete pra kanë subvencionuar drejtpërdrejt qytetarët, kanë mbështetur sektorët më të goditur si transporti, bujqësia dhe kanë krijuar pako të tëra antikrizë për të mbrojtur standardin e jetës. Gjithashtu kanë zvogëluar akcizën, kanë përgjysmuar TVSH-në, kanë marrë veprimet e nevojshme të politikave fiskale. Ndërsa sot, në këtë seancë, ne po shohim në vend që të kishte ide konkrete e debat të mirëfilltë konkret mbi temën që është thirrur kjo seancë, i shohim deklaratat e formulimet e ministrave ekskluzivisht, por edhe të disa deputetëve që tentojnë ta zhvendosin vëmendjen e të krijojnë formulime populiste. Mirëpo koston dhe ballafaqimin me sfidën janë duke e bërë qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen jashtë kësaj salle“, u shpreh Tahiri.
Ai gjithashtu përmendi një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti në vitin 2018 duke krahasuar me gjendjen e sotme.
“Dua të kujtoj një deklarim të vitit 2018 të kryeministrit Albin Kurti, por edhe të ministrave në atë kohë me disa eksponentë, kur ishin në opozitë dhe si lider opozitar alarmonte për rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës. Ndërsa sot, me gjithë këtë fuqi politike, kryeministri në krye të detyrës nuk është që alarmon dhe që merr veprimet e tij të nevojshme në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesave dhe t’i mbështesë në këtë sfidë qytetarët e Republikës së Kosovës“, tha ai.