Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se raporti për Kosovën i Departamentit Amerikan të Shtetit, është letërnjoftimi i kësaj qeverie.
Tahiri tha se Kosova asnjëherë nuk ka marrë klasifikim aq të rëndë, serioz dhe aq të keq në raport me gjendjen në vend.
“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe Qeveria nuk kanë marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz dhe kaq të keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për ta kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky Parlament ta diskutojë këtë raport, ku në faqen e tij të parë flet për një korrupsion serioz në Qeveri”, tha Tahiri.
Fjalimi i plotë:
Raporti i DASh-it për Kosovën është letërnjoftimi i kësaj qeverie
Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe Qeveria nuk kanë marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz dhe kaq të keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për ta kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky Parlament ta diskutojë këtë raport, ku në faqen e tij të parë flet për një korrupsion serioz në Qeveri. Nuk thotë në qeverisje, por thotë korrupsion serioz në Qeveri.
Në faqe të parë thotë kështu: Kosova ka probleme serioze me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë… Shkon tutje dhe flet për dhunën me bazë gjinore. Flet për probleme serioze me fjalën e lirë dhe për kërcënimet ndaj gazetarëve. Çka duhet të thotë më shumë një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për të adresuar një çështje që është problem i madh?
Ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie, ndërsa raporti i Freedom House në dy pika kryesore te funksionimi i qeverisë, sa i përket luftës së korrupsionit e rangon prej katër pikëve në një pikë. Ndërsa, sa i përket asaj se çka bënë Qeveria për transparencë prej 4 në 2. Kjo është një çështje e rëndësishme të cilën duhet ta diskutojmë dhe të ballafaqohemi me argumente që janë të saktësuara në këto dy raporte.