Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një deklarate për media, ka shprehur konsideratën për vlerësimin e marrë nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian në politikat e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ai thotë se raporti ka njohur përparimin e dukshëm në përmirësimin e kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sigurimit të integritetit të institucioneve publike.
Në mes tjerash, ministri Tahiri thekson se janë evidentuar reformat legjislative në drejtësinë penale përmes ndryshimeve në Kodin e ri Penal, avancimit të efikasitetit të procedurave ligjore për organet e pavarura të zbatimit të ligjit që kanë zënë vend në Projekt Kodin në shqyrtim të Procedurës Penale, Ligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë dhe atë për parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Një vend të posaçëm në këtë vlerësim zënë edhe ligjet tjera komplementare siç është ai për ndërmjetësimin që do të mundësojë konsolidimin e sistemit të ndërmjetësimit si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe Pakon e Ligjeve të të drejtave pronësore ku vlerësohet avancimi i të drejtave të grave për qasjen në trashëgimi.
Ministri Tahiri thotë se ministria që ai drejton mirëpret njohjen e progresit të bërë në këto fusha jo vetëm në hartim dhe miratim të legjislacionit, por edhe në funksionalizimin e strukturave në zbatim të tyre – siç është rasti i ndërmjetësimit.
Pavarësisht sfidave siç është ballafaqimi me korrupsioni dhe nevoja për luftë më të ashpër kundër korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike dhe abuzimit me pushtetin publik, Raporti i Komisionit Evropian për Vendin përmend veprimet e Ministrisë së Drejtësisë për aderimin e këtyre sfidave.
“Politikat dhe reformat që i kemi ndërmarrë do të shërbejnë si mjete kyçe me të cilat institucionet e vendit tonë do kenë mundësi ta luftojnë korrupsion dhe kriminalitetin në përgjithësi”, tha ministri Tahiri.
Raporti i progresit për Kosovën vlerëson punën që kanë bërë institucionet e sistemit të drejtësisë në procesin që udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë për konsolidimin e Strategjisë Kombëtare për Sundimin e rendit dhe Ligjit, që pritet të derivojë nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, reformë kjo që përbën instrumente të fuqishme për krijimin e një identiteti të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë, të karakterizuar nga efikasiteti, transparenca, llogaridhënia dhe qasja më e lehtë në drejtësi.
Në fund, Tahiri fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë nismat ligjore siç është Projekt Kodi i Procedurës Penale, duke thënë se do të merren parasysh të gjitha rekomandimet e dala nga raporti 2019, në mënyrë që përparimi në fushën e sundimit të ligjit të zbatohet me përpikëri nga institucionet përkatëse.