Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kryeministri Albin Kurti po i rrezikon raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kjo nuk mund të lejohet.
Tahiri tha se në rrafshin ndërkombëtar, Kosova është na ballinë të gazetave më të mëdha të botës për eskalimin e situatës, teksa paralajmëroi situatë jo normale në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“Si opozitë do të kemi angazhim të vazhdueshëm që të mos ketë normalitet në këtë Kuvend përderisa jemi të sanksionuar nga ShBA-ja. Që katër ditë jemi në ballina të gazetave më prestigjioze në botë, për eskalimin e situatës. Kosovës i kërkohet de-eskalim. Kjo është mjerim, kjo është katastrofë”.
Ai i ka përmendur edhe fjalët e Kryeministrit Kurti për Sekretarin amerikan, Antony Blinken, deklaratat e të cilit i ka quajtur “të padrejta”, “të gabuara” dhe “naive”.
Tahiri pyet se ku e mori Kurti guximin të sulmojë në këtë mënyrë politikën e jashtme të Presidentit amerikan, Joe Biden.
“Ku e merr guximin Kryeministri i Kosovës me e qujtë naiv politikën e jashtme të Presidentit Biden. Ky na përfaqëson krejtëve. Ky është Kryeministër i vendit. Nuk është thjesht Albin Kurti i opozitës. Prandaj, është e papranueshme”, ka thënë Tahiri.