Tahiri: S’e kemi prioritet inspektimin e masave, punëtorët komunalë nuk u kompensuan

Prishtinë | 08 Pri 2021 | 11:05 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se nuk e kanë prioritet inspektimin e masave të reja të marra nga Qeveria.

Krejt kjo ngase sipas tij, edhe përkundër rrezikut punëtorët komunalë u anashkaluan dhe nuk u kompensuan sikurse kategoritë e tjera.

Tutje, ai shtoi se do të vazhdojnë me inspektimet e rregullta, duke i quajtur absurde vendimet e kësaj Qeveri dhe asaj paraprake.

“Një absurditet i Qeverisë së kaluar, e po vazhdohet me të njëjtin intensitet edhe nga Qeveria e tashme. Siç e dini aksionet bëhen nga inspektorati lokal, inspektorati qendror dhe Policia e Kosovës, kurse shtesat për rrezikun që e kanë ky staf në raport me zbatimin e masave i kanë marrë Inspektorati qendror, policët, zjarrfikësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë të bëjnë fare me mbikëqyrjen e zbatimit të masave, kurse janë përjashtuar punëtorët komunalë të secilës komunë”.

“Zbatimin e masave ndaj Covidit do ta trajtojmë varësisht kohës që e kemi, njësoj sikur  secilën temë tjetër pa i dhënë fare prioritet për shkak se nuk mund ne t’i rrezikojmë stafin tonë çdo ditë e në vazhdimësi, e në anën tjetër të jenë sektor dhe profesione krejt të tjera të cilat paguhen për rrezikshmërisë që e ka Covidi”.

Ai theksoi që masat që janë marrë nga Qeveria kanë ardhur për faj të politikanëve dhe se numri i të infektuarve është shumëfishuar nga pakujdesia e tyre gjatë fushatave.

“Po masat janë marrë si pasojë e shkeljeve që janë bërë gjatë fushatës dhe për faj të vet këtyre politikanëve, për shkak se siç e keni parë që nga atëherë e deri tash është shumëfishuar numri i të infektuarve dhe sidomos numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet”.

“Kësisoj masat kanë qenë mund të them proporcionalisht me fajin që e kanë këta politikanë me gjendjen shëndetësore që e ka ky popull”, u shpreh tutje ai.

Përderisa ditë më parë kryetari i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vendosur në mënyrë të njëanshme për masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19, pa u konsultuar me të gjitha komunat.

Ibrahimi tha se kryetarët e disa komunave kanë kundërshtuar këto masa, për shkaqe ekonomike por edhe për shkak të mungesës së stafit inspektues.

Të ngjashme