Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, e ka konsideruar kundërkushtetuese seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është ftuar sot, një ditë pas përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se opozita do ta sfidojë në maksimum këtë situatë dhe do ta elaborojë qëndrimin e saj politik.
“Seanca sot u thirr është seancë kundërkushtetuese, është seancë në të cilën ne duhet të shohim se çka do të ndodhë. Nuk do ta lëmë as Kuvendin, as Kosovën e as seancën pa e sfiduar maksimum me elaboruar qëndrimin tonë politik, i cili është qëndrimi i brendshëm. Kështu që, ju e patë, ju po më bëni pyetje hipotetike, po mundohem me ju përgjigj mbi një qëndrim që ende nuk e dimë.”, tha Tahiri.
Tahiri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si, sipas tij, ka vepruar lidhur me procedurat për thirrjen e seancës.
“Lëvizja Vetëvendosje është ka bën me të vërtetë hajgare jo veç me popullin, po edhe me procedurat. Dje të mbrëmshmen thojshin “nuk e kanë bërë kërkesën”. Tash po thonë “po, e kanë bërë kërkesën”. Pastaj po thonë s’i kanë çuar nënshkrimet. Ne ja kemi dërguar nenin me të cilin ditën e 30-të deputetët organizohen dhe hyjnë në vendseancë. Nuk kanë ardhur në seancë. E kanë mbyllur derën. Dhe mbi të gjitha, e kanë gjetur politikën me e shtyrë, respektivisht me e zgjatë afatin kushtetues. Kjo nuk është as e drejtë, është mashtrim, është papërgjegjësi, është hajmedet. Ju e keni parë vetë, ju ishit… a ishit mbrëmë prezent? A e patët e-mailin? A e dëgjuat cilave nene ju kam referuar? A e patët sallën e mbyllur? E dini që ne kemi komunikuar përgjatë gjithë kohës për me u hapur salla? S’ka asgjë të bëjë, veç është lojë kush kujt po ia lë fajin. Është marre, është turp”, tha Tahiri.
Tahiri ka thënë se, sipas tij, qëllimi është që të krijohet një situatë jokushtetuese, e cila më pas do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese.
“Po ju a po e shihni që këtu është qëllimi? Qëllimi është me u bërë një akt jokushtetues, opozita me e çuar rastin në Kushtetuese. Gjithë rastet i kemi fituese siç e dini, siç e dini domethënë të gjitha lëndët i kemi fituar në Kushtetuese, që me mundur me i blerë do kohë me rritur një presion për një marrëveshje politike ku Aleanca është deklaruar që s’hyn në marrëveshje politike, i ka votat me ndihmuar konstituimin. Janë gjashtë pika të cilat janë për Kosovën”, deklaroi në fund Tahiri.
