Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka komentuar përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që do të mbahen në Shqipëri.
Tahiri në Info Magazine deklaroi se Kosova ka probleme mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë interes për vendin përfshirja e partisë qeveritare në zgjedhjet në Shqipëri, njofton Klan Kosova.
“A nuk kemi mjaft probleme në Kosovë që me u marrë e me i zgjedhë problemet tona. Mendoj që kemi kaq shumë probleme në Kosovë dhe kemi pandeminë që duhet ta luftojmë, kemi sigurimin e vaksinave që duhet të jetë prioritet i përditshëm i secilit bartës së institucioneve ndërkohë që fushatat elektorale duhet të jenë për ata që janë të involvuar në ato fushata elektorale”.
“Çfarë do të ndodhte tani sikur të shkonim të gjithë ne atje dikush të përkrahte PD-në, dikush tjetër PS-në, çfarë do të arrihej me këtë në Shqipëri?”.
“Çfarë do të ndodhte sikur LDK-ja që ka simotër PD-në dhe partitë e qendrës së djathtë, çfarë do të ndodhte sikur ne të dyndemi në Shqipëri në fushatë elektorale edhe PDK-ja të shkonte të përkrahte PS-në – njësoj të vepronin edhe partitë tjera kush do të mbeste në Kosovë dhe çfarë do të arrinim me këtë?. Nuk shoh ndonjë përfitim për Kosovën nga involvimi në fushatën elektorale në mënyrë zyrtare të një kabineti qeveritar”.
Tahiri foli edhe për refuzimin që i bëri kryeministri Kurti rreth vaksinave ruse kundër COVID-19 kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Nuk do të doja të përzihesha në raportet e çrregullta të dy kryeministrave shqiptarë. Do të doja që të kenë raporte të mira mes vete në funksion të integrimeve ndërshqiptare por edhe në funksion të bashkëpunimit më të mirë të dy shteteve tona”, tha Tahiri.
Tahiri tutje tha se Kurti duhet të punojë në sigurimin e vaksinave që janë të sigurta për qytetarët edhe po të vepronte kështu gjendja do të ishte më e mirë.