Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, nuk ka treguar nëse dy kryetarët e kësaj partie në veri do të japin dorëheqje për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, qëndrimi i kësaj partie është që çdo vendim të merret në koordinim me ShBA-në. Madje ai thotë se nuk duhet që të cenohet rendi kushtetues, sepse cenohet edhe pavarësia e vendit.
“Qëndrimi i PDK-së është që të kemi angazhim të përbashkët me ShBA-në, është e dhimbshme të kemi sanksione të tjera. Çdo vendim duhet të jetë në përputhje me rendi kushtues, nuk mund të them as po, as jo. Është e rëndësishme që çdo vendim të jetë në përputhje me rendin kushtues sepse cenohet në thelb pavarësia”.
Tahiri tha se Kurti e ka “reduktuar sovranitetin e shtetit së Kosovës në oborrin e katër komunave”.
“Krejt çfarë ka bërë në këtë periudhë, e ka krijuar një kaos në veri të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht sikur vërtetë do të kishim pasur shtrirje të sovranitetit, angazhim të institucioneve ligj zbatuese, do ta kishim përkrah dhe do të ishte jashtëzakonisht e mirë, por ju e shihni që në ato katër komuna nuk ka kushte për punë, s’ka kushte për asgjë, pra atje njeriu nuk është i lirë as të dalë në market të blejë diçka. Prandaj, nuk është që ka krijuar një gjendje më të mirë, fatkeqësisht krejt çka ka bërë e ka reduktuar sovranitetin e shtetit së Kosovës në oborrin e katër komunave. Cili është roli I Policisë në oborrin e një komune, policia është për të siguruar rend dhe ligj në tërë territorin e komunës, tërë territorin e Kosovës”.
Tahiri ka bërë të ditur se të enjten do të mbahen dy seanca. Ai shtoi se në seancën e dytë që do të vazhdoj nga ora 11:00 është seancë e rregullt.
“Të enjten kemi dy seanca, në seancën e parë nga ora 10:00 do të trajtojmë vetëm një pikë Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme”, tha Tahiri.