Drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në shtëpinë e drejtorit të radiotelevizionit publik (RTK), Mentor Shala.
Ai ka thënë se stabiliteti i shtetit po vihet në rrezik për shkak të mosfunksionim të sistemit të sigurisë në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka reaguar duke thënë se s’duhet bërë me gisht në drejtim të askujt pa u kryer hetimet dhe gjetur autorët e këtij krimi.
“A duhet me i plasë në dorë eksplozivi sulmuesve për t’i kapur apo çka!!!??? Stabiliteti në vend është në rrezik jo vetëm nga kriminelët, por edhe nga mosveprimi dhe mungesa e efikasitetit të sistemit të sigurisë në vend”.
“Sulmi ndaj drejtorit të RTK-së është i dënueshëm dhe ‘loja’ me bomba është kryekëput vepër e individëve që për synimin të parë e kanë goditjen e Kosovës.
Ju lutem, mos merrni turr dhe mos boni me gisht para se të gjinden autorët e këtyre akteve kriminale. TURP”, ka shkruar Tahiri.