Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk e fajëson Qeverinë për çdo gjë, por e fajëson për mungesë të veprimeve.
Tahiri ka thënë se Qeveria “duhet ta rishikojë dhe vlerësojë drejt çështjen e akcizës në naftë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm se si ka ardhur te kjo rritje e çmimeve. Qeverinë e kritikojmë dhe akuzojmë për neglizhencë dhe mosangazhim. PDK-ja në mars kishte sjellë projektligjin për TVSH-në ku kemi propozuar që tatimi për produktet bazë të ulet nga 18 në 8 për qind. Sot jemi në një situatë krejt tjetër, që jo të reduktohet, por edhe të hiqet krejt TVSH-ja për këto produkte për një periudhë 6 mujore”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishikojë çështjen e akcizës dhe tatimin në vlerën e shtuar për naftën, pasi sipas tij një pjesë e qytetarëve po shkojnë në Maqedoni për t’u furnizuar me derivate.
“Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen dhe angazhimin direkt të Qeverisë Kosoves. Një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në zonën kufitare me Maqedoninë, kalojnë në Maqedoni për tu furnizuar me derivate. Kjo është e tmerrshme për neve, përshkak të uljes se akcizës në këto produkte. Rishikojeni çështjen e akcizës dhe tatimin në vlerën e shtuar në naftë”, tha Tahiri.
Deputeti i PDK-së përsëriti se kjo çështë duhet të merret seriozisht nga Qeveria, pasi sipas tij kjo krizë nuk do zgjash gjithmonë, por të paktën tatimi në vlerën e shtuar të hiqet për një periudhë të caktuar kohore.
“Rishikojeni, hiqeni fare tatimin në vleren e shtuar, të paktën për një periudhë të caktuar, se kjo krizë nuk do jetë gjithmonë”, përfundoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së.