Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka vizituar banorët e zonave të prekura nga vërshimet në Drenicë.
Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se vërshimet kanë shkatërruar shtëpi e ekonomi të dhjetëra e qindra familjeve.
‘“Mundi i 40 viteve na shkoi për pesë minuta”. Një përmbledhje kjo që manifeston gjendjen shpirtërore të banorëve të zonave të prekura nga vërshimet në Drenicë, të cilat shkatërruan shtëpi e ekonomi të dhjetëra e qindra familjeve. Për ta është një gjendje e rëndë, e për të gjithë ne, një thirrje të cilës duhet t’i përgjigjemi shpejt dhe të gjithë së bashku. Bashkë me Kryetarin e Skenderajt, z. Nura dhe nënkryetarin Lushtaku, pamë nga afër përmasat e dëmeve në disa prej vendbanimeve të prekura. Njerëzit vullnetmirë po përpiqen të përmbushin nevojat emergjente për veshmbathje e ushqim, e institucionet lokale janë mobilizuar me tërë potencialin e tyre”, ka shkruar Tahiri.
Deputeti i PDK-së i ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të themelojnë komisione vlerësimi të dëmeve.
“Por përballë dëmtimit të shtëpive dhe dimrit të ftohtë, nuk ka normalitet e as çështje më urgjente, sesa rehabilitimi i shtëpive dhe ekonomive të shkatërruara. Prandaj, ftoj institucionet qendrore që urgjentisht të themelojnë komisione vlerësimi të dëmeve, si dhe që qeveria të marrë përsipër kompensimin e menjëhershëm e sa më pak burokratik të dëmeve të shkaktuara, pasi që një pjesë e madhe e të prekurve nga vërshimet, kanë mbetur pa shtëpi të banueshme dhe as nuk kanë kurrfarë mundësie për t’i rehabilituar ato me forcat e veta”, ka përfunduar Tahiri.