Ministri i drejtësisë i qeverisë në dorëheqje, Abelard Tahiri, nuk ka dashur të flasë në lidhje me atë se çfarë do të bëjë partia e tij në lidhje me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe nëse pas zgjedhjeve dalin fitues dhe e udhëheqin qeverinë.
“Kryeministri i ardhshëm, Kadri Veseli, është ai i cili do të vendosë se cili do të jetë hapi që do ta ndërmerr në lidhje me taksën dhe dialogun. Jemi në garë zgjedhore, do t’ia lëmë kohës”.
“BE dhe SHBA nuk duhet të bien në lajthitje nga kushtet që i qet Serbia në lidhje me Kosovën dhe dialogun”, është shprehur ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova përballë gazetares Linda Dedinca.
Tahiri po ashtu foli edhe në lidhje me të arriturat e ministrisë që ai drejton, duke potencuar rastin e kosovarëve të rikthyer nga zonat e luftës në Siri.
“110 qytetarë janë rikthyer, katër prej tyre të dyshuar në përfshirjen në organizata terroriste që pritet të dalin para drejtësisë. Kanë qenë 74 fëmijë që janë rikthyer. Kemi punuar më shumë se gjashtë muaj që ata të kthehen në Kosovë dhe ia kemi kthyer të ardhmen si dhe i kemi larguar nga vendet e rrezikshme. I është kthyer e ardhmja në Republikën e Kosovës”.
“Kosova nuk është më prej vendeve që kanë numër më të madh të njerëzve që janë prezente nëpër këto vende”.
“Ende kemi njerëz në atë pjesë dhe jemi duke punuar që të gjithë të dalin para drejtësisë. Nëse janë viktima, duhet të rehabilitohen, ndërkaq këta njerëz që paraqesin rrezik të dalin para drejtësisë”, përfundoi ai.