Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, e ka quajtur vitin që po lëmë pas një “dimër politik”.
Përmes një interviste për Ekonomia Online, Tahiri ka theksuar se Kosova, së bashku me Shqipërinë, duhet të shpresojë për një “verë” më të mirë në vitin 2025, duke përmendur se sfidat e vitit të kaluar, “si dështimet në forcimin e shtetit dhe në ndalimin e rinisë për të ikur”.
“Gjithë jemi në pritje dhe në gëzim për këtë vit të ri, e patëm një vit që e konsiderojë që e patëm një dimër politik. E paçim verën në vitin 2025 jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri se e kemi pasur në dy anët ashtu. Jam një prej figurave kryesore që kemi sjellë lirinë dhe pavarësinë e shijoj çdo ditë lirinë dhe pavarësinë, natyrisht që vitin ka pasur sfida dhe dështime, dështime nuk ka pasur vetëm në forcimin e shtetit apo sovranitetit, apo ekonomisë ose ikja e madhe e rinisë”, tha ajo.
Tahiri ka theksuar rritjen e forcave të KFOR-it në veri, duke shtuar se kjo tregon dështimin e Qeverisë për të konsoliduar shtetësinë dhe stabilitetin e Kosovës.
“Veriu është i pa sigurt sepse janë shtuar forcat e KFOR-it, para ardhjes së kësaj Qeverie ne ishim pa nevojën e rritjes ne kemi KFOR-in dhe amerikanët, por tani është rritur shumë që tregon se Qeveria nuk ishte e zonja e aftë të konsolidojë shtetësinë e Kosovës. Kjo Qeveri është e re dhe janë të ri dhe nuk kanë dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë nuk janë fokusuar aty ku e lamë na që ata me përparuar më shumë”, ka shtuar ajo.
Në fund, Tahiri ka uruar qytetarët e Kosovës për vitin e ri dhe ka shprehur shpresën që Kosova të mbyllë dialogun me Serbinë me një marrëveshje për njohje reciproke.
“E para urojë të gjithë qytetarët e Kosovës vitin e ri, pres Kosova të përmbyll dialogun me Serbinë dhe atë ta mbyllë me njohje reciproke dhe jo si dështojë Kurti, obligimet Kosova i ka sepse lidhet me integrimin evropian por duhet të gjitha obligimet e mbetura të bëhen në përputhshmërinë e Kushtetutës”, uroi Tahiri.