Ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj vendimit të ushtruesit të detyrës së ministrit të MBPAP’së që deputetët e Kuvendit të kërkojnë leje të veçantë për të shkuar në seancë.
Sipas Tahirit, Sveçla është një frikacak i cili nuk guxoi të pengojë ndërhyrjen e Serbisë në veri të vendit, por guxon të veprojë për lirinë e deputetëve, shkruan Periskopi.
“Xhelal Sfeçla me këtë protagonizëm prej një degjeneruesi institucional, pa asnjë të drejtë ligjore dhe pa përfillur mënyrën e funksionimit të rendit tonë shtetëror, paska përmbysur hierarkinë e çdo gjëje që funksion sipas rendit e ligjit në Republikën e Kosovës. Një frikacak e i papërgjegjshëm si Xhelal Sfeçla në postin e zëvendësministrit, që s’guxoi të pengojë ndërhyrjen e Serbisë në pjesën veriore të vendit, paska guxuar të marrë të drejtën për të menaxhuar me lirinë e deputetëve.”, ka shkruar ai.
Reagimi i tij:
Rendi dhe ligji si themele të shtetit, e legjitimiteti si themel i autoritetit e pushtetit, janë vendosur pikërisht për të parandaluar arbitraritetin, autokracinë dhe abuzimin që mund t’ua atribuojnë vetvetes pushtetarët e padinjitetshëm e të rrezikshëm për lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Dje, pa autoritet, pa pushtet, pa ligj, në mënyrë arbitrare, autokratike dhe abuzuese, zëvendësministri i qeverisë së shkarkuar e të turpëruar, paska dhënë leje për ne, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës, që të mund të marrim pjesë në seancën e paraparë për sot.
Xhelal Sfeçla me këtë protagonizëm prej një degjeneruesi institucional, pa asnjë të drejtë ligjore dhe pa përfillur mënyrën e funksionimit të rendit tonë shtetëror, paska përmbysur hierarkinë e çdo gjëje që funksion sipas rendit e ligjit në Republikën e Kosovës. Një frikacak e i papërgjegjshëm si Xhelal Sfeçla në postin e zëvendësministrit, që s’guxoi të pengojë ndërhyrjen e Serbisë në pjesën veriore të vendit, paska guxuar të marrë të drejtën për të menaxhuar me lirinë e deputetëve.
Kjo nxjerrje në pah e dhuntisë së Xhelalit të vogël për kontroll, atu ku e shfrytëzon rrethanën e duke i ikur ballafaqimit aty ku duhet, është dëshmi e mendësisë totalitare që ka përshkruar gjysmën e kësaj qeverie të turpëruar e të shkarkuar, që nga dita e parë e saj. Prandaj ky zëvendësministër dhe kjo qeveri e turpëruar, duhet zëvendësuar sa më parë me institucione të përgjegjshme, legjitime, llogaridhënëse dhe të nënshtruara plotësisht ndaj rendit e ligjit.