Tajfuni “Dolphin” goditi prefekturën jugore japoneze të Okinawas të shtunën, duke plagosur gjashtë persona dhe duke lënë pa energji elektrike mbi 50 mijë ndërtesa.
Pesë të moshuar në Okinawa, tre prej të cilëve u rrëzuan nga erërat e forta, pësuan lëndime jo të rënda. Një person tjetër u plagos në prefekturën Kagoshima.
Tajfuni shoqërohet me erëra deri në 162 km/h, ndërsa shpejtësia e rrymave arrin deri në 216 km/h. Kompanitë ajrore anuluan fluturimet drejt dhe nga Okinawa.
Ndërkohë, Kina ka mbyllur porte dhe ka pezulluar shërbimet e trageteve, në pritje të mbërritjes së tajfunit në bregun lindor, shkruan Reuters.
Autoritetet kineze kanë dhënë një alarm portokalli, niveli i dytë më i lartë, për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. “Dolphin” pritet të prekë tokën në brigjet e Kinës mes mbrëmjes së së dielës dhe orëve të para të së hënës, mes provincave Zhejiang dhe Fujian.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për dallgë deri në 8 metra në brigjet e Zhejiang, ndërsa në zona të tjera bregdetare priten dallgë deri në 5.5 metra.