Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për rishikimin e çështjeve të cilat ndërlidhen me Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e saj para të pranishmeve përmendi çështjet e ngritura nga ana e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës, sa i përket ndarjes së pasurisë së përbashkët në rast të divorcit e cila konsiderohet si më problematike me mënyrën se si aktualisht është paraparë në draft Kodin Civil dhe kërkoi nga ekspertët e Grupit Punues që kjo çështje të trajtohet dhe po ashtu të bëhen ndryshimet e nevojshme që veçanërisht grave tu krijohet siguri juridike në ndarjen e pasurisë së fituar gjatë jetës bashkëshortore dhe të njihet kontributi i grave në familje duke pasur parasysh që aktualisht vetëm 14 % e grave janë të punësuara.
Ministrja Haxhiu ftoi të gjithë akterët relevantë që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre duke qenë bashkëpunues dhe konstruktiv në këtë proces shumë të rëndësishëm të rishikimit të çështjeve që ndërlidhen me
Kodin Civil.
Nga ana tjetër, kryesuesi i këtij grupi, z. Isuf Jahmurataj, kërkoi nga anëtarët e këtij grupi që përball këtyre çështjeve të cilat do të trajtohen dhe të kenë qasje profesionale, argumentuese, përball komenteve
dhe sugjerimeve për ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të këtij Projekt Kodi.
Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarët e Grupit Punues, Zyra e BE-së, projekti mbështetës, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të fushës.