Takim i ri Kurti-Abdixhiku

Prishtinë | 02 Sht 2026 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë takuar sërish në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Sipas burimeve të EO, takimi ka nisur rreth orës 16:00.

Abdixhiku të martën, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, deklaroi se gjashtë nga 18 deputetët e kësaj partie kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë shprehur kundër votimit të Sejdiut.

Po të martën, takim ka zhvilluar edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes. Pas mbledhjes, Kurti tha se të gjithë deputetët e këtij grupi ishin në pajtim me kandidaturën e Sejdiut. Megjithatë, sipas tij, me kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, numri maksimal i votave që mund të sigurohen është 74.

Kurti tha se marrëveshja politike mbetet ende valide, por shtoi se fillimisht duhet të takohet sërish me Abdixhikun dhe më pas edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

Bekim Sejdiu u propozua të hënën si kandidat për president, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Të ngjashme