Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Anton Berisha dhe një delegacion me përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe të MPJ-së,kanë marrë pjesë në takimi ne nivelit të lartë rajonal, të organizuar nga SEESAC dhe Zyra Federale e Jashtme e Gjermanisë.
Ky takim po mbahet në Podgoricë, ku po marrin pjesë zëvendësministra të brendshëm dhe të jashtëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, delegacioni nga Kosova pati një takim me delegacionin nga Zyra Federale e Jashtme e Gjermanisë, si donatoret kryesorë në projektet e ndryshme me qellim të kontrollit e armëve të vogla dhe të lehta.
Në këtë takim u diskutuan të arriturat e Kosovës dhe sfidat në këtë fushë. Po ashtu u diskutuan hapat e ardhshëm në drejtim të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare dhe projektet konkrete që do të ndikojnë në reduktimin e numrit të armëve të paligjshme, që gjenden ende në duar të popullatës.
Në këtë takim u kërkua mbështetje në implementimin e ligjit për legalizim dhe ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve, si dhe u kërkua përkrahje në ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë takim rajonal do të dakordohen për hapat e përbashkët dhe për rrugën që duhet ndjekur nga secili shtet në veçanti, në drejtim të parandalimit, luftimit, shitjes dhe trafikut të paligjshëm të armëve. Po ashtu është përgatitur një draft dokument për rrugën, hapat dhe objektivat që duhet përmbushur për Samitin e Londrës, që do të mbahet këtë vit, në përputhje të procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fund është miratuar një deklaratë e përbashkët për të ritheksuar angazhimet dhe përpjekjet e të gjitha shteteve të rajonit në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve, në të cilën u vlerësuan të arriturat dhe përpjekjet e vendeve të rajonit në këtë drejtim dhe u zotuan për angazhime shtesë dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.