Dy punonjës të ndërmarrjes publike lokale ‘Prishtina Parking’ janë përfshirë në një rrahje të martën në mbrëmje, ka bërë të ditur drejtori Sokol Havolli.
Përleshja mes dy punonjësve ka ndodhur gjatë Darkës së Fundvitit, të organizuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes.
Policia, në raportin 24-orësh, ka konfirmuar rastin. Ka njoftuar për arrestimin e njërit prej punonjësve.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje është përfshirë në rrahje me viktimën mashkull kosovar”, ka thënë Policia e Kosovës.
Policia ka thënë se viktima për shkak të lëndimit iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik dhe është duke u trajtuar në QKUK.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh të mërkurën.