Takimi i parë i Grupit Punues për Mbështetjen e Dialogut të Brendshëm mbi Kosovën do të mbahet pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit në Kosovë dhe më së voni deri në fund të muajit.
Kështu shkruan e përditshmja serbe “Politika” në numrin e saj të sotëm, transmeton Klan Kosova.
Raportohet se vetëm pas seancës së parë të grupit të formuar nga Qeveria e Serbisë të hënën, do të ishte e mundur të dihej kur dialogu do të fillojë formalisht dhe kujt do t`i bëhen thirrjet e para për konsultime.
Në krye të grupit punues në të cilin do të përfshihen të gjitha ministritë e Serbisë, është emëruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.
Detyra e këtij grupi është t’iu ofrojë ndihmë organeve përkatëse, organizatave dhe trupave, në procesin e zhvillimit të dialogut të brendshëm për Kosovën si dhe të përcjellë e të koordinojë aktivitetet që organet përkatëse shtetërore i ndërmarrin në procesin e zhvillimit të dialogut të për Kosovën.