Në gjithë historinë e Luftës së Ftohtë, takimet e Presidentit të SHBA-së dhe liderit të Bashkimit Sovjetik (Sekretarit të përgjithshëm të Partisë komuniste/ bolshevike), apo, të prijësve të dy superfuqive botërore, janë përcjellë me një interes të jashtëzakonshëm në të katër anët e Rruzullit Tokësor.
Fati i njerëzimit, për më shumë, i vetë jetës në Tokë, varej nga marrëdhëniet në mes këtyre dy politikanëve dhe shteteve të tyre. Një gabim fare i vogël, një vlerësim apo analizë e paqëndrueshme, e pabazuar në realitet, mund të kishte pasojë të paimagjinueshme pas fillimit, qoftë edhe aksidental, të përplasjes me armë bërthamore.
Për këtë shkak, thelbi i këtyre takimeve deri në vitin 1989, ishte që gjendja, në këtë aspektin e kërcënimit me një luftë atomike, të mbahet nën kontroll, dhe që me çdo kusht të ruhet paqja në Evropë (sidomos), dhe që mos ndodhë Lufta e Tretë Botërore.
Në fund të vitit 1989, në Maltë, Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George H. W. Bush dhe Sekretari Mikhail Gorbachev do të nisin serinë e bisedimeve të cilat kishin për qëllim për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë, pas rrënimit të Murit të Berlinit (vetëm një muaj më parë), i cili këtë epilog e bëri të pashmangshëm.
Nuk ka dyshim që një fitore e qartë e Perëndimit, e shkaktuar nga vetë-rrënimi i sistemit Komunist, po mos të ishin këto bisedime amerikano – sovjetike, do të mund të përcillej me një rrëmujë të përgjakshme. Ajo edhe do të ndodhë, por jo siç supozohej në Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet përreth (edhe pse edhe në këtë hapësirë ka pasur konflikte të kufizuara), por në hapësirat e ish-RSFJ-së. Zaten, në këtë luftë që do të zgjasë me ndërprerje të vogla tetë vjet të plota, do të kuptohej në mënyrën më të qartë të mundshme se çfarë fuqie politike dhe ushtarake paraqiste SHBA-ja, Aleanca Veri-Atlantike dhe Perëndimi.
Krejt kjo histori e njohur pak a shumë për të gjithë, e pagëzuar ndryshe, nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin si katastrofa më e madhe gjeopolitike në Shekullin XX, ka qenë gjithsesi shtytësi a motivi kryesor i Putin-it për të urdhëruar invadimin e Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022, me qëllim të zhbërjes së Ukrainës si shtet i pavarur, bashkimit të saj të serishëm me Rusinë, dhe shkatërrimit të Rendit ndërkombëtar i cili u krijua në Berlin (në vitin 1945), dhe mori fund në Berlin (në vitin 1989).
Pushtimi ushtarak i Ukrainës pastaj do të legjitimohej ndërkombëtarisht, siç pretendonte Putin, me një Jalta të re, ku hisja evropiane do të ndahej kësaj radhe vetëm në mes të Rusisë dhe Amerikës.
Presidentit të Rusisë nuk i shkuan punët siç planifikoi. Megjithatë, ai ka pushtuar një hise të madhe të territorit të Ukrainës, teksa këtë pre (në territor), ky po synon ta zyrtarizojë, pas aneksimit të Krimesë de zonave të Donbasit (në vitet 2014 dhe 2022), në bisedimet me Presidentin e Amerikës Donald Trump, të cilat do të nisin këtë të premte (me 15 gusht), në Alaska të Amerikës.
Në këto shtatë muajt e parë të Administratës së dytë të Presidentit Trump (ajo e para ka qenë në vitet 2017-2021), marrëdhëniet e saj me aleatët evropianë kanë përjetuar rëniet dhe ngritjet e parashikuara, por deri më tash së paku, bilanci i përgjithshëm i këtyre raporteve, ka qenë objektivisht më pozitiv se sa që është pritur apo parashikuar.
Por, duket se sprova më e madhe e këtyre marrëdhënieve do të vjen këtë të premte, me takimin e parë në mes të Presidentëve amerikan dhe rus, ku tema kryesore e bisedimeve do të jetë paqja (eventuale) në Ukrainë.
Vet fakti që Ukraina por as edhe Evropa (BE-ja), nuk do të jenë të pranishme në këtë Samitin e parë, teksa paqja në Ukrainë është parakusht për një stabilitet afatgjatë të gjithë kontinentit evropian, është burim i shqetësimeve të mëdha në Evropë.
Putin, natyrisht dëshiron ujdi bilaterale me Trumpin. Për te, Ukraina dhe Evropa nuk ekzistojnë si faktor që duhet të pyeten.
Megjithatë, si paqja në Ukrainë, ashtu edhe lufta (nëse do të vazhdojë), nuk kanë si të bëhen pa vet Ukrainën dhe Bashkimin Evropian.
Kjo është qind për qind e sigurt./Klan Kosova/