Takimin me Halen, Thaçi e quan mëngjes të zakonshëm, në Facebook thotë se u diskutua për dialogun

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 11:45 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se takimi me nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, ka qenë i zakonshëm, raporton Ekonomia Online.

“Ishte një mëngjes i zakonshëm. Qëndrimin tim e kam shprehur në Facebook”, ka thënë presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Ai këto komente i ka bërë pas takimit me krerët e institucioneve të shtetit, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj, i cili ndodhi pas takimit të përbashkët në Rezidencën e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.  

Ndërsa, në rrjetin e tij social në Facebook, kreu i shtetit ka shkruar se temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me ShBA-në.

Duke iu referuar publikimit të tij, Thaçi, ka bërë të ditur se u bisedua edhe për një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Sipas tij, e cila do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara.

Thaci në shkrimin e tij, nuk ka thënë se është biseduar për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ky është postimi i presidentit Thaçi:

Sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme. HTH

Të ngjashme