Presidenti i Turqisë është takuar me homologun e tij rus në kryeqytetin Ankara para samitit trepalësh për Sirinë.
Recep Tayyip Erdogan u takua me Vladimir Putinin, në rezidencën Çankaya në një takim pas dyerve të mbyllura që zgjati për një orë e gjysmë.
Më vonë gjatë ditës, dy presidentëve do t’u bashkohet presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, në samitin e pestë për Sirinë sipas formatit të Astanas ku do të diskutojnë zhvillimet e fundit në qytetin veriperëndimor Idlib, kthimin vullnetar të refugjatëve dhe zgjidhjen politike për krizën në Siri.
Procesi i paqes i Astanas, që synon t’i japë fund konfliktit sirian, filloi në janar të vitit 2017 me iniciativat e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.
Gjithsej 13 raunde u zhvilluan në Astana të Kazakistanit.
Shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë thyer vazhdimisht kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së deeskalimit.