Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Ismaili me bashkëpunëtorë, priti sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë Tomas Szunyog dhe Eva Palatova zv.Shefe e zyrës së BE-së.
Guvernatori Ismaili shpalosi planet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe planit strategjik, me fokus në reformimin dhe avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse sipas legjislacionit përkatës të BE-së. U diskutua lidhur me aktivitetet që ndikojnë në stabilitetin financiar, rritjen e qasjes në financa me fokus në ekonominë e gjelbër, përfshirjen në platformat globale të pagesave si dhe kartonin e gjelbër, nismat rajonale në digjitalizimin e shërbimeve financiare dhe luftën kundër parave të falsifikuara.
Si aspekt i rëndësishëm që adresohet edhe përmes Programit të Reformave në Ekonomi (ERP) u diskutua për fuqizimin e kapaciteteve të BQK-së me profesionistë, me fokus në funksionet mandatare, si dhe nevojën e plotësimit të pozitave kyçe sipas parimit të meritës dhe integritetit.
Ambasadori Szunyog shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të mbështetur BQK-në në realizimin e objektivave dhe planeve të BQK-së, si institucion i pavarur dhe i rëndësishëm për të siguruar mandatin kushtetues dhe ligjor.
Guvernatori shprehu mirënjohjen e Bankës Qendrore për mbështetjen e treguar nga ana e BE-së për sistemin financiar dhe ekonominë e Kosovës përmes programeve të shumta të mbështetjes financiare, duke përshirë mekanizmat nga institucionet e Bashkimit Evropian.