Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër te kampanjës #mosthujsekamdite, informojnë publikun dhe kundërshtojnë ndikimin e taksës për siguri të furnizimit të propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Dokumenti i ZRRE-së “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit” i vënë në diskutim publik në muajin shkurt të këtij viti, synon që të shtyjë përpara ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” duke vënë barrën financiare te konsumatorët. Kjo iniciativë është në kundërshtim me rolin kushtetues të ZRRE-së, në kundërshtim me ligjet vendore dhe ato evropiane.
Mandati i ZRRE-së nuk është që të gjejë modalitete për të akomoduar kontrata të dëmshme që Qeveria e Kosovës i nënshkruan. “ZRRE si institucion pavarur nuk do të duhej t’i nënshtrohet Qeverisë së Kosovës por në vend të kësaj të ruaj interesin publik përmes garantimit të funksionimit të një tregu të konkurrencës së lirë”, tha Fisnik Korenica nga GLPS. “Të gjitha këto shkelen nëse ZRRE vendosë të vihet në shërbim të një kontrate skandaloze e në kundërshtim të plotë me frymën e pakos së tretë të legjislacionit evropian në fushën e energjisë”.
“Nga imponimi i taksës për të mbuluar koston nga një marrëdhënie e derregulluar, NKEC dhe ContourGlobal thyejnë principin bazë të liberalizimit të tregut dhe rrënojnë çdo progres në hapjen dhe integrimin e tregut. Projektimi i sigurisë së furnizimit duke u bazuar në një kontratë izoluese për Kosovën nuk garanton asgjë tjetër pos çmime të papërballueshme dhe thellim të varfërisë energjetike për qytetarët e Kosovës”, shtoi Rinora Gojani nga BGF.
Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore, i bëjnë thirrje bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të mos e miratojnë këtë dokument dhe të heqin dorë nga përpjekjet për të implementuar kontratën izoluese për tregun e energjisë së Kosovës. Për më tepër, ne ftojmë Kuvendin e Kosovës, respektivisht Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të thërrasë një dëgjim publik për të diskutuar arsyeshmërinë e një propozimi të tillë.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe përfaqësues të qytetarëve kosovarë, që të mos votojnë në favor të këtij projekti i cili do të jetë barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.