Banorët e rrethit të Kukësit dhe shtetasit e Kosovës do ta ndiejnë më së shumti vendosjen e taksës për shfrytëzimin e Rrugës së Kombit, meqë edhe janë frekuentuesit më të mëdhenj të saj, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se pas kësaj autostrade, në radhë për pagesë do të jenë edhe rrugë të tjera kombëtare. Por kjo nuk do të ndodhë edhe për disa kohë për faktin se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur të marrë një konsulent për të krijuar një sistem të saktë të dhënash për të gjitha rrugët në Shqipëri.
Pagesa për kalimin në Rrugën e Kombit nga janari i vitit që vjen do të jetë më e ulëta pesë euro – për autovetura. Megjithëse zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transporteve në Shqipëri kanë pohuar vazhdimisht se taksa e vendosur për Rrugën e Kombit do të jetë e njëjtë me ato të vendeve fqinje dhe ato të rajonit, situata në terren flet ndryshe.