Talibanët kanë thënë se do të zhvillojnë “një tjetër” takim me zyrtarët amerikanë më 17 dhjetor, kësaj here në Emiratet e Bashkuara Arabe, në tentim të negociimit të përfundimit të luftës 17 vjeçare në Afganistan.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid ka thënë se pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit sauditë, pakistanezë dhe ata nga Emiratet e Bashkuara, mirëpo nuk ka dhënë detaje shtesë.
Teksa Uashingtoni as nuk ka mohuar dhe as konfirmuar takimet e mëparshme me talibanët, përfaqësuesi amerikan për paqe, Zalmay Khalilzad ka thënë më parë se ka mbajtur një varg takimesh me të gjithë afganët e përfshirë në konflikt, referencë e cila përfshin edhe talibanët, të cilët kontrollojnë apo kanë ndikim në pothuajse gjysmën e Afganistanit.
Në një deklaratë të publikuar muajin e kaluar, talibanët kanë thënë të jenë takuar tre ditë radhazi me Khalilzad në Katar.
Më pas, Khalilzad është kthyer në Kabul, me ç’rast i ka bërë thirrje presidentit afgan, Ashraf Ghani për të krijuar një grup që do të mund të bisedonte me talibanët.
Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 1 trilion dollarë në Afganistan, prej kur koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ka rrëzuar talibanët nga pushteti më 2001.
Kjo njëherësh njihet edhe si lufta më e gjatë e Amerikës.`