Talibanët eksekutojnë kreun e ISIS-it

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Ish-kreu i grupit terrorist ISIS-K, Abu Omar Khorasani është ekzekutuar dje në një burg në Afgansitan, njoftonte qeveria talibane.

Ai ka qenë drejtues i degës afgane të grupit terrorist ISIS dhe përgjegjës për shpërthimin kamikaz në aeroportin Kabul ku u vranë rreth 180 njerëz muajin e kaluar.

E përditshmja britanike ‘The Sun’ shkruante se fati i Korasanit mbetej i paqartë që prej ardhjes në pushtet të talibanëve, teksa militantët morën kontrollin e burgut Pul-i-Charkhi pranë kryeqytetit, ku ai po mbahej.

Disa raportime thonin më herët se militanti ishte liruar gjatë kaosit të ndërrimit të pushtetit në Kabul por Wall Street Journal  raportonte dje se është ekzekutuar bashkë me tetë oficerë të tij.

Lajmi për ekzekutimin e tij në fundjavë u konfirmua dhe nga rrjeti libanez al-Mayadeen.

Khorasani – i njohur ndryshe si Zia ul-Haq – kishte marrë dënim me vdekje para ardhjes së talibaneve në pushtet gjatë verës.

Ai ishte kapur nga forcat amerikane dhe afgane në një shtëpi jashtë Kabul në maj 2020, dhe ishte dënuar me vdekje.

Wall Street Journal thotë se ka intervistuar Khorasani në burg dy ditë para ekzekutimit.

Megjithëse organizata e tij ishte në luftë me Talibanët, ai kishte lavdëruar avancimin e tyre pas largimit të SHBA, dhe shpresonte se ata do ta lironin.

“Ata do të më lirojnë nëse janë muslimanë të mirë,” tha Khorasani.

Raportimi për ekzekutimin e tij është një sinjal se talibanët nuk do të bashkëpunojnë me terroristët e ISIS, të cilët po tentojnë të krijojnë bastionet e tyre të reja në Afganistan.

ISIS-K raportohet se është formuar në 2015, duke kapur terrenet e mbajtura më parë nga grupi al-Qaeda, i përbërë nga luftëtarë që largoheshin nga shembja e “kalifatit” të ISIS në Irak e Siri.

Khorasani ishte bërë lider pas vrasjes së Abdul Haseeb Logari në prill 2017.

Të ngjashme