Talibanët kidnapojnë dhjetëra persona në Kunduz

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 09:55 | Nga

Zyrtarët në provincën veriore të Afganistanit, Kunduz kanë thënë se talibanët janë duke mbajtur peng 100 persona që ishin duke udhëtuar në disa autobusë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë.

Ky incident ka ndodhur pavarësisht thirrjes së presidentit afgan, Ashraf Ghani për armëpushim me talibanët teksa shënohet festa islame e Kurban Bajramit.

Shefi i këshillit të provincës Kunduz, Mohammad Yusouf Ayubi, ka thënë se kryengritësit kanë ndalur tre autobusë më 20 gusht dhe kanë marrë pasagjerët.

Ayubi ka deklaruar se beson që talibanët kanë qenë duke kërkuar për punëtorë qeveritarë apo forca të sigurisë.

Drejtori i sigurisë së Kunduzit, Safiullah Mahzon, ka thënë se pengjet janë dërguar në fshatin Nikpe.

Shefi policor i provincës fqinje, Takhar, ka thënë se pasagjerët kanë qenë duke udhëtuar drejt kryeqytetit afgan, Kabul.

TOLO News ka raportuar se forcat e sigurisë kanë arritur në këtë zonë dhe se janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.

Ende nuk ka pasur asnjë koment nga talibanët, mirëpo zona ku ka ndodhur incidenti kontrollohet nga po ata.

Më 19 gusht, Ghani ka bërë thirrje për armëpushim “të kushtëzuar” me talibanët, për të shënuar festën e Kurban Bajramit, vetëm disa orë pasi kryengritësit kanë thënë se kanë pushtuar një zonë në provincën, Faryab.

Sipas Ghanit, armëpushimi do të duhej të fillonte më 20 gusht dhe të zgjaste për 3 muaj.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një ceremonie për shënimin e Ditës së Pavarësisë më 19 gusht.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të kenë mirëpritur këtë hap, që varet nga pjesëmarrja e talibanëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë në një deklaratë se armëpushimi i fundit ka shpërfaqur “dëshirën e thellë” të popullit afgan për t’i dhënë fund konfliktit, “dhe se “ne besojmë që një armëpushim tjetër do ta afrojë këtë shtet më afër një sigurie të qëndrueshme”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë përkrahin këtë nismë të popullit afgan dhe Qeverisë afgane, andaj i bëjmë thirrje talibanëve që të marrin pjesë. Ne shpresojmë se populli afgan do ta shënojë këtë vit festën e Eid al-Adha në paqe dhe të lirë nga frika”, është thënë në deklaratë.

Ky njoftim ka ardhur vetëm disa ditë pasi militantët talibanë kanë pushtuar një bazë ushtarake ne rajonin e njëjtë.

Guvernatori i provincës, Naqibullah Fayeq, ka thënë më 19 gusht se distrikti, Balcharagh ka rënë në duart e luftëtarëve talibanë më 18 gusht, pas disa ditësh të luftimeve të ashpra dhe për faktin se ushtarët afganë nuk kanë pranuar përforcime.

Ende nuk ka pasur raportime për viktima në këtë betejë.

Më herët gjatë këtij muaji, luftëtarët talibanë kanë pushtuar bazën e ushtrisë afgane në provinën Faryab.

Qeveria e Kabulit e mbështetur nga Perëndimi ka luftuar talibanët dhe grupe tjera militante prej tërheqjes së numrit më të madh të trupave të NATO-s më 2014.

Në një deklatatë të prezantuar më 18 gusht, lideri i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, ka ripësëritur thirrjet për bisedime direkte me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund asaj që ai e cilësuar si “okupim” të Afganistanit.

Akhundzada ka thënë se grupi militant kërkon “negociata të sinqerta, transparente dhe me rezultate” me Uashingtonin, duke shtuar se cilado paqe në mes të dy palëve duhet të ruajë “synimet tona islamike, sovranitetin e vendit tonë dhe të sigurojë përfundimin e luftës”.

Akhundzada, besohet se është duke u fshehur në Pakistan dhe më herët ka thënë se militantët nuk do të negociojnë me Qeverinë Afgane, të cilën ata e kanë cilësuar “vegël”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme