Talibanët shpresojnë se marrëveshja e paqes do të arrihet gjatë këtij muaji

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Një zëdhënës i talibanëve i ka thënë një gazete pakistaneze se grupi militant shpreson se do të arrihet marrëveshje me negociatorët amerikanë deri në fund të muajit janar.

Këto komente të Suhail Shaheen për gazetën Dawn, vijnë pasi negociatorët e talibanëve dhe të Shteteve të Bashkuara zhvilluan bisedime dyditore në Katar.

Shaheen tha përmes një postimi në Twitter se takimet e 16 dhe 17 janarit ishin “të dobishme”.

Ai tha se bisedimet ishin të fokusuara në nënshkrimin e një marrëveshjeve të përbashkët dhe për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, por nuk dha më shumë detaje.

Ekipi i SHBA-së, që udhëhiqet nga Zalmay Khalilzad, nuk ka folur publikisht për negociatat. Por, agjencia Reuters ka cituar dy burime të kenë thënë se talibanët ishin të gatshëm të pajtoheshin për 10 ditë armëpushim me forcat amerikane, si dhe për zvogëlimin e dhunës me forcat afgane. Po ashtu, sipas këtyre burimeve, talibanët janë pajtuar të mbajnë bisedime me zyrtarët afganë nëse arrihet marrëveshja.

Shahen tha se militantët talibanë janë të gatshëm të ndalonin sulmet e militantëve para nënshkrimit të marrëveshjes me SHBA-në.

“Jemi pajtuar që të ulim numrin e operacioneve ushtarake para nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me Shtetet e Bashkuara”, tha Shaheen për Dawn.

Ai shtoi se talibanët janë “optimist” se marrëveshja me Uashingtonin mund të nënshkruhet para fundit të janarit.

“Tani është çështje ditësh”, tha ai.

Forcat amerikane janë në Afganistan që prej pushtimit më 2001, që kishte për qëllim rrëzimin e talibanëve nga pushteti. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shprehur dëshirën e tij që të tërheq 13 trupat amerikane nga Afganistani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme