Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin, ka bërë me dije se për përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë vendos vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së e jo Kosova.
“OKB-ja është një organizatë e cila i përket të gjitha shteteve anëtare e cila reprezenton humanitetin mbrojtjen e paqes dhe sigurisë e cila është arsyeja e ekzistencës së saj pas luftës së dytë botërore. Misioni i UNMIK-ut është vendim i Këshillit të Sigurimit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe ne do të jemi këtu për aq sa ky KS-ja dëshiron”, ka shtuar ai.
Me këtë rast kryetari i këtij komisioni, Ilmi Reçica ka thënë se ata nuk dinë asgjë për informacionin se Ministria e Punëve të Jashtme po kërkon përmbylljen e misionit të UNMIK-ut.
Reçica ka thënë se për këtë gjë do të thirret në raportim, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
“Në të vërtetë UNMIK-u e ka rolin e tij sipas rezolutës 1244 i cili i përgjigjet drejtpërsëdrejti Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të OKB-së dhe në kuadër të kësaj ne si komision parlamentar meqë e kemi obligim të merremi dhe të angazhohemi me politikat e jashtme është në kuadër të kompetencave dhe të mandatit tonë. Ne nuk kemi asgjë konkrete nga Ministria e Punëve të Jashtme, shpejt do ta thërrasim në raportim ministrin Hoxhaj dhe shpejt do ta marrim vesh sa janë reale dhe sa janë të vërteta”, tha ai.