Tarifat e qeverisë si problematikë për individin

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 11:42 | Nga Shkumbin Gashi

1.

‘Nëse njerëzit do t’i kthenin makinat përmbys ose do të shkatërronin pronën , thjesht për keqdashje ose gjatë hakmarrjes private , asnjë dorë nuk do të ngrihet për t’i mbrojtur ata nga pasojat ligjore’ – Këtë e tha Milton Friedman në librin e tij Kapitalizmi dhe liria .

Ky shkrim medoemos duhej të fillohej me këtë fjali. Na kujtohen rrokullisjet e kamionëve nga aktivistët e Vetëvendosjes . As nuk u lavdëruan e as nuk u mbrojtën. U dënuan me fjalë të rënda dhe u kërkohej të jepnin llogari. Sepse ata cenuan lirinë e individit , ata cenuan pronën private dhe mbi të gjitha , ata cenuan interesat e një klase të fuqishme.  Nominalisht kishin të drejtë të gjithë ata që i dënuan këto veprime , por veprimin mbi tarifa a nuk është shkelje e lirisë individuale të zgjedhjes , veprimit të lirë privat dhe cenim i interesave të asaj klase të njëjtë të fuqishme?! Përveç kësaj, me tarifa ndaj cilitdo shtet, konsumatori vendas është ai që paguan dhe pëson.

2.

Një vend i vendos një vendi tjetër tarifa për të përkrahur një industri vendase. Industria e caktuar vendase gjatë kësaj periudhe që mund të quhet Muaj I Mjaltit (duhet ta kemi të qartë se gjatë këtij Muaji Mjalti , qytetarët nuk janë të ftuar)!, pritet që të zhvillohet, të rritet dhe në fund ajo presupozohet se do të jetë e aftë të jetë e konkurrueshme me industritë e së njejtës veprimtari ekonomike të vendeve tjera . Ata ndoshta edhe zhvillohen , rrisin kapital , ngrenë edhe kokën më lartë sepse tash janë më të mëdhenj se ç’ishin por efikasitetin nuk e rrisin dot për arsyen e thjeshtë , ata janë garuesit e vetëm në një garë . Duke qenë të vetëm , ata janë fituesit dhe njëkohësisht humbësit e garës.Ata do të jenë të parët dhe të fundit .Gjatë kësaj gare pa fitues dhe pa humbës ose me fitues dhe me humbës të të njëjtit garues , financuesi i kësaj gare do të jetë qytetari .

3.

Tarifa doganore shpesh herë është përdorur për qëllime politike nga një shtet ndaj një shteti . Zakonisht shteti që qëndron më fuqishëm ekonomikisht i vë tarifa një eksportuesi të jashtëm psh. SHBA vendos tarifa ndaj Kinës ose ndaj Meksikës për produkte të caktuara psh çeliku , alumini , plastikat ,fruta etj . Produktet e tarifuara me një taksë 10 % do të rezultojnë me ngritje çmimi për shtetasit e vendit që vendos tarifën . Pra qytetarët e SHBA do t`i kenë produktet e tarifuara më të shtrejta se më parë , gjë që do të ul kërkesën për import ose do të ngris çmimin për njësi . Nëse një vend , në këtë rast Kosova , vendos taksë 10 % ndaj një vendi i cili eksporton minimalisht  14% të totalit të importeve që Kosova i realizon brenda një viti , ndërsa një pjesë e madhe përtej 14 % është edhe e pa identifikuar e cila përbën deri 65% të informalitetit në tërësi , atëherë qeveria e Kosovës do të duhej të dilte me një raport në lidhje me ndikimin e saj ekonomik në vend .

4.

Është e lehtë të thuhet se nga kjo tarifë u ulën importet nga Serbia për 50 % , ku javën paraprake ishte 7 milion € ndërsa këtë javë është 3.5 milion € , dhe nga kjo Kosova përfitoi 300 mijë € . Së pari , studimi nuk kryhet nga java në javë , por veç nëse dëshiron që ta shprehësh me javë , atëherë duhet të marrësh javën e njejtë të vitit të kaluar dhe javën e sivjetme , e krahason dhe del me deklarata alla Fideliane . Kur produktet e importit si tërësi ndaj një apo  disa shteteve tarifohen me një përqindje të caktuar , atëherë vendi që vendos tarifën , nuk përfiton asnjë cent ,përpos nëse tarifon një industri specifike për një kohë të arsyeshme , kushtimisht thënë .

Në rastin tonë , kjo tarifë nuk do të duhej të quhej tarifë nëse do të ndodhte në një kohë strategjikisht më të mirë . Do të quhej bllokadë totale produkteve me origjinë Serbe deri në njohjen e shtetësisë së saj .Në rastin tonë të mirë do të duhej që sot të ishte viti 2008 , të vendosej bllokada totale dhe para çdo kërkese nga jashtë në lidhje me heqjen e bllokadës , të kushtëzohej me njohje . Pas 10 vitesh , ndërmarrjet importuese tregtare nga Kosova nuk do të ishin të varura nga produktet serbe .

5.

Tarifa prej 10 % të produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake apo cilat do qofshin ato shtete , dhe me rrahje gjoks se kjo taksë do të rritet në vazhdim , i bën mirë vetëm hipokrizisë së skenës politike që ekzistoi dhe po vazhdon të ekzistoj në saj të hipokrizisë së saj dhe naivitetit qytetar . Në skenën politike përfshihen edhe opozita e cila po ashtu në mënyrë hipokrizie përkrah një tarifë e cila paguhet nga xhepat tanë . Një opozitë si LDK , deklarativisht liberale e djathtiste ,e cila pati mundësi të arta që këto tarifa të ndodhnin 10 vite më herët e cila do të kishte përfitime zhvillimore dhe strategjike për ndërmarrjet gjegjësisht politikën e jashtme tonën , opozitë e cila del në deklarata hipokrite duke thënë se në kohën time i kam vendos bllokadë totale Serbisë. Është turp të mashtrosh qytetarin kur e thua këtë e duke mos e cekur se bllokada e 21 marsit 2016 ishte një masë reciprociteti e jo një bllokadë . Masa e reciprocitetit nënkupton që një shtet imiton shtetin tjetër , në atë rast Kosova imitoi Serbinë . Qytetarët e këtij vendi nuk duhet të harrojnë se për 10 vite qeverisje PDK pati rol kryesor në politikat e vendit . Kjo parti sot është në qeveri , dhe nga aktorët e saj politikë nuk doli askush kontra kësaj tarife ,por harronin se këtë tarif ata do të mund ta shndërronin në bllokadë veçse iu duhej më shumë vendosmëri . Pra , LDK dhe PDK janë dy partitë të cilat i vendosën themelet e forta të invazionit ekonomik që Serbia ka ndaj Kosovës ndërsa sot njëra është pjesë e kësaj tarife koti , dhe tjetra krenohet se në kohën e saj kjo tarifë ishte bllokadë. Vetëvendosje nuk përfiton dot nga hipokrizia .Ajo çka e thotë edhe do ta bënte . Nuk brengoset nga reflektimi . Nëse kjo lëvizje do të kishte mekanizmat e shtetit të cilat do t`ia lejonin bllokadën ndaj produkteve Serbe, jo që do ta bënte, por as fundin nuk e di se ku do t’i dilte .

6.

Si përfundim , çdo produkt i tarifuar në doganë është faturë për qytetarët. Nëse importohen 400 mil. € mallra nga Serbia tarifohen me 10 % , përfitimi i Kosovës 40 milion , çmimet rriten minimalisht me 11.8% dhe në fund , një produkt në raftet e marketeve , nga 1 € , do të jenë 1.15 € ose më shumë . I vetmi dëm që i bëjmë produkteve serbe është se potencialisht mund të dekurajohen importuesit tanë që të vazhdojnë të blejnë mallra nga Serbia për shkak të rënies së kërkesës nga blerësit vendas . Pra , këtë politikë tarifore që qeveria hipokrite i bëri , ajo do të mund të bëjë pengesa të shumta jotarifore ndaj produkteve serbe .

Të gjithë duhet ta dimë se politikanët tanë nuk rrinë aty ku rrimë ne, nuk shkojnë në pushime aty ku shkojmë ne, nuk i kanë fëmijët e tyre në shkollat ku mësuam-s`mësuam ne , e as nuk flenë ku flemë ne. Ata nuk hanë çka hamë ne, prandaj tarifa prej 10% nuk ia rrit koston e jetës atyre , por na rrit neve. Asnjë popull nuk duhet t’i gëzojë tarifa ndaj importeve , por populli duhet të pyes se çka bën politika në mënyrë që prodhuesi vendas të jetë konkurrues në treg !!!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme