Ministria e Transportit ka bërë gati draftin e Kodit të Ri Ajror, i cili shumë shpejt do të kalojë për miratim në qeveri dhe Kuvend.
Sipas përcaktimeve të reja transportuesi (linja ajrore) është përgjegjëse për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportimin ajror të pasagjerëve.
Në rast dëmi, të shkaktuar nga vonesa në transportimin e një personi, përgjegjësia e transportuesit për çdo pasagjer kufizohet deri në 4,150,SDR (valutë e FMN-së) ose 4,648 euro.
Transportuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar, në rast vonese të bagazhit të dorëzuar, përveçse kur vërteton se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme, për të shmangur dëmtimin, ose kur marrja e masave të tilla ishte e pamundur.
Në rast humbjeje, shkatërrimi ose dëmtimi të bagazhit të dorës (hand baggage), përfshirë edhe sendet vetjake, transportuesi është përgjegjës, nëse vërtetohet që ai, punonjësit dhe agjentët janë fajtorë për veprimet e kryera.
Përgjegjësia e transportuesit për shkatërrimin, humbjen, dëmtimin ose vonesën kufizohet në 1 000 SDR (1120 euro) për çdo pasagjer.
Kodi i ri thotë se, ky kufizim nuk respektohet nëse, në kohën kur bagazhi i dorëzuar është marrë nga transportuesi, pasagjeri bën një deklaratë të veçantë interesi për dorëzimin në destinacion dhe, sipas rastit, paguan një shumë shtesë.
Në këtë rast, transportuesi paguan shumën e deklaruar, përveç rastit kur ai provon se shuma e deklaruar është më e madhe se interesi aktual i pasagjerit në dorëzimin në destinacion.
Në rast dëmtimi, pritësi i bagazheve ankohet tek transportuesi në çastin e zbulimit të dëmtimit, por jo më vonë se shtatë ditë nga data e marrjes, në rastin e bagazhit të dorëzuar. Në rast dëmtimi, për arsye vonese, ankimi bëhet jo më vonë se 21 ditë nga data kur ai ka marrë bagazhin në dorëzim.
Ankesa bëhet me shkrim. Nëse ankesa nuk bëhet brenda afateve, transportuesi nuk mban përgjegjësi. Nëse pasagjeri e pranon bagazhin e dorëzuar pa ndonjë rezervë, prezumohet se bagazhi është marrë pa dëmtime.
Në rast se bagazhi i dorëzuar ka humbur, kërkesa bëhet vetëm nëse transportuesi pranon humbjen ose me kalimin e periudhës 21-ditore nga data kur bagazhi duhej të kishte arritur.
Gjithashtu sipas Kodit të Ri Ajror, transportuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar, në rast vdekjeje ose dëmtimi trupor të një pasagjeri, vetëm në rast se aksidenti, me pasojë vdekjen ose dëmtimin, ndodh në bordin e avionit apo gjatë procesit të ngjitjes ose zbritjes nga bordi i avionit zhdëmtimi është jo mbi 100 000 SDR (112,000 euro), për çdo pasagjer./Monitor