Ylli i muzikës, Taylor Swift, ka zbuluar anën më të errët dhe më të dhimbshme të turneut gjigant “Eras Tour” në dokumentarin e saj të ri në Disney+, The End of an Era, ku rrëfen se pas disa koncerteve traumatike verën e kaluar dëshironte “të zhdukej” dhe të largohej nga sytë e publikut, raportoi të dielën “Daily Mail”.
Këngëtarja, e cila sapo ka mbushur 36 vjeç, ka treguar se gjatë periudhës së turneut, veçanërisht në Londër, është përballur me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale pas sulmit vdekjeprurës në Southport, ku tre fëmijë humbën jetën gjatë një klase vallëzimi me temë Taylor Swift, si dhe pas kërcënimeve terroriste që detyruan anulimin e koncerteve të saj në Vjenë.
Në një skenë prekëse të dokumentarit, Swifti shihet prapa skenës para koncertit të parë të natës së dytë në Londër, duke u përpjekur të qetësojë veten. Aty i bashkohet miku i saj i ngushtë, Ed Sheeran.
“Pas kësaj kam dy muaj pushim, të cilin e kam më shumë nevojë se kurrë. Dua të shkoj diku ku askush s’mund të më gjejë. Nuk dua të ndihem e ndjekur si kafshë. Kohët e fundit jam ndier shumë e sulmuar”, është shprehur ajo mes emocionesh.
Dokumentari shfaq edhe momente të tjera të rënda, ku këngëtarja shpërthen në lot pak minuta para se të dalë në skenën e stadiumit Wembley.
Ajo shihet duke qarë në krahët e nënës së saj, Andrea Swift, pas takimeve private me familjet e viktimave të sulmit në Southport.
Megjithë dhimbjen, Swift shprehet se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vendosë një “maskë force” dhe të performojë.
“Nga ana mendore, jetoj shpesh në një realitet shumë joreal. Por është puna ime t’i përballoj të gjitha këto ndjenja dhe pastaj të ngrihem menjëherë për të performuar”, ka thënë ajo.
Këngëtarja e krahason veten me një pilot që drejton avionin në turbulenca, duke u përpjekur të ruajë qetësinë për hir të pasagjerëve – në këtë rast, fansave të saj.
Koncertet në Wembley shënuan rikthimin e Swift në Mbretërinë e Bashkuar pas tragjedisë në Southport dhe kërcënimeve terroriste në Vjenë.
Ajo priti rreth 92 mijë fansa në pesë netë radhazi, ndërsa dokumentari tregon qartë stresin, frikën dhe barrën emocionale që ajo mbante larg syrit të publikut.