Të akuzuarit për dhunimin e të miturit, Shkodran Pulaj, paraburgimi i zëvendësohet me arrest shtëpiak

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Të akuzuarit për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, Shkodran Pulajt, i është ndërprerë masa e paraburgimit, dhe i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Vendimi është marrë të hënën e 8 dhjetorit, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Departamenti për të mitur, Ajser Skenderi.

Masa e arrestit shtëpiak, Pulajt i vazhdohet për dy muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndërpritet masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit Shkodran Pulaj nga data 08.12.2025 dhe e njëjta masë i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak dhe masa e arrestit shtëpiak vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 muaj deri më datën 08.02.2026. I akuzuari Shkodran Pulaj pa lejen e gjykatës nuk guxon të largohet nga adresa ku ka vendbanimin..”, thuhet në aktvendimin e gjykatëses Skenderi.

Aktakuza për kryerjen e veprës penale “Dhunimi” është ngritur ndaj Pulajt më 3 tetor 2024.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, me datë 03.10.2024 për çështjen penale në fjalë, ka ngritur aktakuzë kundër një (1) personi, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhej në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.

“Betimi për Drejtësi” në emisionin e transmetuar më 13 prill 2024, me titull: “Ana më e errët e protagonistit Pulaj, dhunimi i të miturit?”, ku zbulohet se si në verën e vitit 2022, Shkodran Pulaj kishte rënë në kontakt me një të mitur, të moshës nën 16 vjeç.

Zhvillimi i raportit me të duket të mos ketë qenë i rastësishëm dhe natyrshëm.

Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Pulaj dyshohet ta ketë shfrytëzuar të miturin në dy drejtime.

Fillimisht, ai dyshohet t’i ketë dhënë të miturit drogë të llojit kokainë për konsum ditor.

Por, në këmbim të kokainës, Pulaj dyshohej të ketë kërkuar favore seksuale nga i mituri.

Për dyshimin mbi dhunimin, Prokuroria Themelore në Prizren kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 21 dhjetor 2023.

Të ngjashme