“Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë”, shkruante eruditit Faik Konica, më 1923, teksa fliste për zakonin e skllavërisë, një ves të shëmtuar, prej të cilit shqiptarët nuk mund të shqiteshin. Në fakt, po bëhen gati një shekull prej kur është shkruar ky tekst, dhe, shqiptarët vazhdojnë të ndjejnë peshën e rëndë të zakonit të skllavërisë, prej të cilit nuk mund të shqiten, gjë që më së miri vërehet në vobekësinë tonë të përgjithshme, në krizat e thella identitare dhe mosmarrëveshjet e brendshme.
Shqiptarët e shekullit XXI, janë të lirë, por prapëseprapë të varfër- më të varfrit në Europë- të katandisur në mjerim, dhe, për çdo ditë, e braktisin atdheun e tyre, në kërkim të një jete më të mirë. Pra, ata vazhdojnë të mos e ndjejnë lirinë e brendshme, që është fondamentale, si ajri, uji e buka.
Po ashtu, ata vazhdojnë të udhëhiqen nga mendje të cekëta, që pak kuptojnë nga rrjedhat e qytetërimit dhe të kulturës.
Pra, shqiptarët, ndonëse kanë sendërtuar disa aspirata politike, dhe këtë fal ndihmës së jashtme, ata nuk kanë gjetur lumturi dhe as paqe të brendshme. Ata kanë fituar lirinë fizike, por kanë problem me lirinë e brendshme. Mbase, kjo mund të jetë njëra nga mbrapshtitë kryesore, që nuk i lë ata të këndellen, të armatosen me dituri dhe vullnet për punë, siç porosiste iluministi i ditur, Tajar Zavalani. Në mungesë të këtyre idealeve, ata sillen të çoroditur përballë krijesës së quajtur shtet, pa modele kulturore e politike, ndërkaq, mosmarrëveshjet e brendshme, i kanë kthyer në norma, prandaj, çdo ditë e më shumë duket sikur nuk ka shtegdalje nga problemet tyre.
Në këtë amulli, si në kohën kur u bë Shqipëria, secili që analizon jetën e sotme shqiptare, s’ka sesi të mos pyet: ku janë rrënjët e kësaj krize?
Meqë shumëçka, në mos gjithçka për këtë krizë është thënë, atëherë e shoh të dobishme të rikthimi te tradita, te klasikët e mendimit shqiptarë, te ata që bënë autopsinë e psikologjisë shqiptare. Një i tillë, pa dyshim ishte Tajar Zavalani, vepra e të cilit paraqet një vizion të qartë perëndimor për Shqipërinë. Ky autor, gjithmonë bënte thirrje të njihej mirë realiteti shqiptar, veset dhe të metat, që sipas tij ishin, “mungesa e disiplinës, egoizm’i i cekët dhe mosheqja e njëri-tjetrit.” Sipas tij, këto të meta, trashëgimi të së kaluarës, kishin bërë të pamundur punën kolektive të shqiptarëve.
Ky autor, në tekstin “Populli dhe intelektualët”, të botuar më 1934, teksa analizonte trashëgiminë e mjerë shqiptare, ai njëkohësisht dëftonte rrugën si të hyhej në vallen e qytetërimit. Po, ai tregonte nevojën që kishte kombi shqiptar të emancipohej dhe të hynte në vallen e qytetërimit, si popull i vonuar e me shumë të meta.
Një nevojë të tillë, shqiptarët e kanë edhe sot, kudo ku ata jetojnë. Në të vërtetë, kjo nevojë, siç është thënë dhe përsëritur shpeshherë, është në dobi të së ardhmes së tyre: të lartësimit shpirtëror dhe të ngritjes ekonomike e kulturore.
Zavalani thoshte se edukimi i popullit është kondita e parë e çdo qytetërimi. Kanë kaluar shumë kohë, prej kur është shkruar ky tekst, por shqiptarët nuk është se kanë shartuar veset e shëmtuara, që lidhen me mungesën e cilësive të nevojshme për të hyrë në vallen e qytetërimit. Si në kohën e tij, shqiptarët, kanë nevojë të pohojnë një gjë të tillë – nevojën për edukim – mbi të gjitha, ata kanë nevojë të vetëdijesohen për gjendjen e mjerë në të cilën jetojnë- se ata janë të këputur nga gjitha rrjedhat ekonomike e kulturore të botës së përparuar perëndimore.
Shqiptari i mençur, Tajar Zavalani, tregonte për përpjekjet që bënë atëbotë idealistët e kohës së tij “të shkundim pluhurin e mbrapmë ku qemë rritur, të shkëputemi nga idetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë. Pastaj vimë këtu dhe gjejmë botën e vjetër që kishim lënë. Sado pakë thellë të na ketë prekur kultura oksidentale, prap se prapë një qind për qind me botën e vjetër nuk mund të pajtohemi.”
Në të vërtetë, Zavalani bënte pjesën në atë pjesën e fisnikërisë shqiptare, që pa droje dhe pa paragjykime, flisnin për plagët shqiptare dhe kërkonin që ato të kuroheshin. Për të, ashtu sikurse për Konicën, Nolin, Fishtën, Merxhanin, Koçën, Harapin, etj., shqiptarët nuk mund të hynin në vallen e qytetërimit, pa i shartuar veset e trashëgimisë së shëmtuar, të cilat, këta idealistë i lidhnin me trashëgiminë e shëmtuar osmane, që kombin shqiptar e kishte këputur nga rrjedhat e qytetërimit.
Shqiptarët e shekullit XXI, nuk kanë një mision të ri dhe as të vjetër. Atyre duket sikur u janë tha idealet, prandaj sillen të trullosur dhe pa kurrfarë përgjegjësie ndaj të sotmes e të ardhmes. Ata janë ngatërruar me njëri-tjetrin dhe nuk e shohin sesi kanë mbetë më të pazhvilluarit në Europë. Për më tepër, ata duket sikur kanë humbur ndjesinë për tema të rëndësishme, esenciale, që lidhen me edukimin e një breznie të re, me ndjenja të lirisë dhe të pavarësisë së plotë. Në të kundërtën, kudo dhe kurdo, dëgjohet një ligjërim i përçudnuar, i egër, primitiv dhe jashtë konditave të qytetërimit.
Zavalani, në shkrimet e tij të shumta, fliste edhe për dobitë që kanë kombet që hyjnë vonë në vallen e qytetërimit, sepse, sipas tij, ata mund të përfitojnë nga eksperienca e popujve më të qytetëruar dhe kështu, mund t’i shkurtojnë etapat e evolucionit. Pse të mos mësojmë nga mendje të tilla, që t’i ndërrojmë kahet e zhvillimit tonë. Që të bëjmë këtë duhet të edukohemi dhe të mësojmë nga popujt e qytetëruar. Koha nuk ndalet që të na pret ne, derisa të kalojmë këtë moshe të stërzgjatur të foshnjërisë. Koha nuk na pret, prandaj të shqitemi nga mentaliteti primitiv dhe paragjykimet e cekëta dhe të marshojmë me vetëdije drejt një misioni të ri: edukimin, pa të cilin nuk ka përparim, lumturi dhe mirëqenie.