Lionel Messi synon që sonte të fitojë Topin e gjashtë të Artë në karrierën e tij madhështore.
Ylli argjentinas ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtij viti kalendarik, në sezonin 2018/19, dhe me të njëjtin ritëm po vazhdon edhe në 2019/20.
Leo do të ketë në konkurrencë holandezin Virgil van Dijk, i cili me triumfin në Ligën e Kampionëve është futur seriozisht në këtë garë.
Por, cilat janë të arriturat e Messi? A e meriton ai ta fitojë Topin e Artë për herën e gjashtë, sonte në ‘France Football’?
Messi ka fituar La Ligan me Barcelonën, duke u shpallur njëkohësisht edhe MVP i ligës, si dhe arriti të fitonte Këpucën e Artë për herë të tretë radhazi, me më shumë se 50 gola të shënuara.
Gjithashtu, Messi ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve dhe shënoi më së shumti gola kundër top gjashtë skuadrave të Premierligës (në përballjet në Evropë).
Për të treguar se është bartës kryesor i lojës së skuadrës së Barcelonës, vlenë të përmendet se Leo ka kontribuuar në 74 nga 96 golat e skuadrës.
Messi gjithashtu numëron më së shumti çmime si lojtari më i mirë i javës në Ligën e Kampionëve.
Në La Liga, ai vendosi ‘autokraci’. Argjentinasi numëron më së shumti gola dhe asiste në kampionat. Ai ka fituar Pichichi.
Edhe çmimi lojtari i vitit nga FIFA shkoi për Leon, si dhe çmimi si sulmuesi më i mirë nga UEFA.
Mbetet të shihet nëse këto do të mjaftojnë që ai të fitojë Topin e gjashtë të Artë.