A do të bëhen gazetarët pjesë e Ekipit të Thaçit për bisedime me Serbinë?

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 17:35 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi, në pamundësi për të qenë, figurë unifikuese dhe për të krijuar një ekip negociues me të gjitha partitë, po nisët në adresa të tjera për të gjetur njerëz që s’do ta lënë vetëm në dialog. Idenë e ka shpalosur me t’u kthyer nga Brukseli ku takoi Vuçiqin. Gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile po përmendën të bëhen pjesë e bisedimeve. Express sot ka biseduar me Bekim Çollakun nga Presidenca, gazetarin Baton Haxhiu dhe analistin Astrit Gashi.

Uniteti i shumëkërkuar për çështjen e dialogut me Serbinë, nuk u arrit për shkak të refuzimit të opozitës, por edhe Nismës, që kryenegociator të jetë Thaçi.

Duke mos konsideruar në asnjë moment tërheqjen e vet nga udhëheqja e bisedimeve, Presidenti po provon të imitojë strukturat e ekipeve të mëhershme të Kosovës në Rambuje dhe Vjenë. Më 1999 kastës së politikanëve, të prirë nga Ibrahim Rugova e Hashim Thaci iu ishin bashkuar edhe dy gazetarë në cilësi të të pavarurve, Veton Surroi dhe Blerim Shala, i cili do të jetë pjesë e negociatave të fundit me Serbinë në një kapacitet tjetër, si këshilltar i Presidentit.

Ftesën e ka bërë publike të enjten që shkoi duke u bërë thirrje “ekspertëve, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave”, që të bëhen pjesë e dialogut.

Gazeta Express ka kontaktuar shefin e stafit të Kryeministrit, Bekim Çollakun, për ta pyetur nëse deri më tani i janë ofruar dikujt nga shoqëria civile dhe gazetarëve për të qenë pjesë e fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë.

“Krejt mediat, shoqëria civile. Momenti kur formohen grupet punuese, në ato grupe ka ekspertë. Ata ekspertë mund të vinë nga shoqëria civile, nga mediat. Kjo është ideja”, ka thënë Çollaku kur ka shpjeguar për idenë e gjithëpërfshirës në dialog.

Shefi stafit të kryeministrit nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar kur është pyetur nëse deri më tani i janë ofruar emrave të përveçshëm të mediave dhe shoqërisë civile për të qenë pjesë e dialogut.

“As nuk mund ta konfirmoj e as nuk mund ta mohoj”, ka thënë Çollaku për Express.

Presidenti Thaçi më së shumti , për shkak të raporteve personale, opinionet e tij i ndan në studiot e gazetarit Baton Haxhiu.  Express pyeti sot Haxhiun nëse i ka shkuar ftesa nga i pari i vendit për të qenë i përfshirë në dialog.

Haxhiu ka thënë se nuk ka marrë ftesë, por se as nuk e përkrah idenë e përfshirjes së gazetarëve në dialog. Sipas tij, gazetarët duhet të kryejnë punën e tyre vetëm duke përcjellë dhe raportuar për bisedimet.

“Ne mund të marrim pjesë në ekip negociues vetëm si profesionistë, me i përcjellë çka po bëjnë ata. Ne gazetarët nuk duhet të marrim pjesë në dialog, por vetëm si raportues”, ka thënë Haxhiu.

Idenë e një ekipi të zgjeruar negociues Presidenti Thaçi ka filluar të fusë në deklarimet e tij në konferenca, pasi nuk arriti –deri më tani – ta bindë LDK’në e Vetëvendosja është e prerë që të mos pranojë të hyjë aty ku udhëheq Thaçi.

Fillimisht filloi joshjen e LDK’së duke thënë se kur ishte në opozitë si lideri i PDK’së në vitin 2005, u bë pjesë e ekipit të Presidentit Ibrahim Rugova në Vjenë për statusin e Kosovës.

Së fundmi, doli edhe ideja e përfshirjes së ekspertëve të fushave, shoqërisë civile dhe mediave.

Analisti Astrit Gashi tregon se ka dëgjuar për idenë, ndërsa thotë se po ka ardhur si produkt i bisedimeve të Thacit me disa prej zyrtarëve të LDK’së.

“Kjo ide rrjedh prej diskutimeve jo publike mes disa zyrtarëve të LDK’së dhe Thaçit dhe mendohet me shku si propozim platforme e qeverisë në Kuvend”, ka thënë Gashi për Express.

Analisti thotë se LDK, për ta bërë më të pranueshme bashkëngjitjen në negociata, po duan të bëjnë disa modifikime, e përfshirja e shoqërisë civile dhe mediave është një nga to.

Idenë e zgjerimit të ekipit negociues e ka kritikuar edhe zëvendësministri Gjergj Dedaj, që së fundmi s’po i ndalte lëvdatat për presidentin Thaçi.

“Për tema nacionale të arrihet koncenzusi parlamentare! Kërkesat për zgjerimin e ekipit negociator, janë non sens, ambicie për marketing personal dhe partiak, të pa nevojshme dhe komplikim i fazës finale të dialogut”, ka shkruar Dedaj në FB.

 

Të ngjashme