Ministri izraelit për Siguri Publike, Gilad Erdan u ka bërë thirrje shërbimeve të burgut në Izrael që të mos lejojnë palestinezët e burgosur që i takojnë grupit Hamas, përcjelljen e ndeshjeve të futbollit në Kampionatin për Kupën e Botës.
“Nuk dua të lejoj që pjesëtarët e Hamasit, që janë të ndaluar në burgjet tona të shijojnë ndeshjet për Kupën e Botës në televizor derisa ne kemi pengje dhe ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës”, ka thënë ministri Erdan.
Kampionati për Kupën e Botës, që njihet si ngjarja sportive më e popullarizuar në botë do të mbahet nga 14 qershori deri më 15 korrik në disa qytete ruse.
Sipas rregullores aktuale, të burgosurit në Izrael kanë të drejtë të shohin programe televizive, mirëpo Erdan ka thënë se është duke hetuar nëse këto rregulla mund të ndryshohen para se të nisin ndeshjet.
Aktualisht në burgjet e Izraelit janë rreth 6,500 palestinezë, ndonëse jo të gjithë janë të lidhur me Hamasin, grup palestinez të cilin Izraeli e konsideron armik.